Kushi: Ja çfarë u diskutua në mbledhjen 4 orëshe të Asamblesë së PS-së!
Punimet e fundit të Asamblesë së Partisë Socialiste, organizimi i strukturave në terren dhe debatet e brendshme kanë qenë në qendër të komenteve të deputetes socialiste Evis Kushi. E ftuar në emisionin “3D” në RTSH, nën moderimin e Alban Dudushit, Kushi analizoi vendimmarrjet kryesore të mbledhjes mbi katërorëshe të socialistëve, duke ruajtur rezervën për diskutimet e zhvilluara me dyer të mbyllura.
Duke zbërthyer pikat kyçe të mbledhjes, deputetja Kushi vuri theksin te tre drejtime strategjike që do të udhëheqin veprimtarinë politike të Partisë Socialiste në muajt në vijim.
Kushi e cilësoi situatën aktuale si pikën më të afërt të vendit me Evropën, falë përmbushjes së detyrimeve nga ana e Shqipërisë dhe hapjes së re të BE-së.
“Është një moment kur Shqipëria nuk ka qenë kurrë më pranë Evropës sesa është sot”, theksoi ajo, duke shtuar se ky mision kërkon vendosmëri të përbashkët që askush të mos e cenojë procesin.
Duke vijuar traditën e nisjes së hershme të përgatitjeve, Kushi nënvizoi nevojën për aktivizim të plotë në territor dhe komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët, përtej nismave ekzistuese si “Prania besnike”.
“Duhet t’i shikojmë sy më sy dhe të flasim për gjithçka, për shqetësimet që ata kanë”, u shpreh deputetja.
Një risi e shpalosur në Asamble, sipas saj, është hapja e aplikimeve për kandidatët e këshillave bashkiakë, sipas modelit të “Deputetit që duam”.
Kushi deklaroi se procesi është i hapur për çdo qytetar — pavarësisht anëtarësimit në parti — nga data 15 nëntor deri më 15 janar, dhe do të shoqërohet me prezantime platformash, debate dhe intervista publike.
Debatet e brendshme dhe vendimet për forumet
Lidhur me dinamikën e diskutimeve brenda partisë dhe largimet nga forumet drejtuese, Kushi sqaroi se debati dhe mendimet ndryshe janë pjesë e përhershme e një force të madhe politike, si në Asamble ashtu edhe në mbledhjet e grupit parlamentar.
Duke iu referuar qëndrimit të Sekretarit të Përgjithshëm, Blendi Klosi, ajo konfirmoi se Spiropali dhe Ndreca janë përjashtuar nga forumet, por mbeten anëtarë të Partisë Socialiste, pasi, sipas saj, “Partia Socialiste nuk përjashton askënd” dhe anëtarësimi mbetet i hapur për këdo.
Megjithatë, Kushi refuzoi të jepte detaje mbi marrjen e këtyre vendimeve, duke i cilësuar si “ato bisedat e shtëpisë tonë që ne i kemi me njëri-tjetrin” dhe duke theksuar se vëmendja e publikut duhet të përqendrohet te integrimi evropian dhe përzgjedhja transparente e kandidatëve vendorë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



