Evis Kushi në “3D” në RTSH: Buxheti 2027 reflekton shqetësimet e qytetarëve, integrimi evropian garanci për standardet

Politikë | 13 minuta më parë

Deputetja e Partisë Socialiste, Evis Kushi, e ftuar në emisionin “3D” të gazetarit Alban Dudushi në RTSH, ka analizuar prioritetet e Projektbuxhetit 2027, ecurinë e reformave në kuadër të integrimit evropian, si dhe qasjen e qeverisë ndaj protestave dhe dialogut me qytetarët. Sipas saj, projektbuxheti i ardhshëm adreson drejtpërdrejt problematikat e mbledhura nga komunikimi i vazhdueshëm me publikun.

Duke u ndalur te procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Kushi theksoi se ky proces nuk duhet parë thjesht si një arritje simbolike, por si një instrument konkret që rrit cilësinë e jetës dhe shërbimeve publike.

“Integrimi nuk është qëllim në vetvete. Integrimi është sigurisht një rrugëtim dhe është garanci për standarde më të mira. Është pikërisht integrimi evropian dhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian që ne do na detyrojë pastaj që të kemi standarde më të mira në shëndetësi, në arsim, në ekonomi, në gjithçka tjetër.”, tha Kushi.

Ajo shtoi se përmbushja e “detyrave të shtëpisë”, përfshirë reformën në drejtësi, ka sjellë rezultate konkrete, duke nënvizuar se “Shqipëria ka bërë progres dhe ky progres është njohur nga Bashkimi Evropian, është njohur nga Komisioni Evropian”.

Qëndrimi ndaj protestave dhe thirrja për dialog

Lidhur me protestat dhe kërkesat e ngritura nga të rinjtë, deputetja socialiste kritikoi refuzimin e dialogut nga një pjesë e protestuesve, duke e cilësuar si kontradiktore paraqitjen e kërkesave pa pranuar tryezën e bisedimeve.

“Si mundet që të kërkosh diçka pa u ulur në tryezë dhe pa le që nuk pranojnë fare, thonë ‘ne kërkojmë vetëm dorëheqje’, që kjo është e pakuptimtë”, u shpreh Kushi.

Duke iu referuar takimit të ministrit Blendi Gonxhja me disa të rinj, ajo vuri në dukje se “një pjesë e protestuesve, ajo pjesë që ishte dhe e dhunshme, nuk lejonin një pjesë tjetër që kërkonin të shprehnin mendimin e tyre ndryshe nga ata, nuk lejonin njerëzit të shkonin në dialog”, duke shtuar se “liria ime nuk mund të cenojë lirinë e një tjetri”.

Mekanizmat e komunikimit dhe Buxheti 2027

Sipas Kushit, rritja e pritshmërive të qytetarëve lidhet me zhvillimin e vendit, pasi njerëzit nuk krahasohen më me të kaluarën, por me objektivat e së ardhmes. Për këtë arsye, qeveria ka vënë në dispozicion platforma të reja komunikimi si “Fol me kryeministrin” dhe “Pasqyra Albania”, të cilat u shërbejnë të gjithë qytetarëve për të adresuar ankesat dhe pyetjet e tyre.

Në përmbyllje, deputetja konfirmoi se seancat dëgjimore, analizat dhe komunikimi i drejtpërdrejtë janë përkthyer në vendimmarrje financiare: “Buxheti i vitit 2027 reflekton shumë nga shqetësimet që ne i kemi marrë gjatë kësaj periudhe në mënyrë të vazhdueshme”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme