Raporti i CNN për planin e supozuar të Iranit me “bombë të ndyrë”, reagojnë Uashingtoni dhe Teherani

Botë | 1 ditë më parë

Një raport i transmetuesit amerikan CNN, i cili citon burime nga inteligjenca amerikane mbi planet e supozuara të Iranit për të sulmuar zyrtarë në Uashington me një “bombë të ndyrë” (radioaktive) ose armë kimike, ka nxitur reagime të menjëhershme nga Shtëpia e Bardhë dhe Ministria e Jashtme e Iranit.

Sipas raportimit të CNN, shërbimet e inteligjencës kanë kapur plane të detajuara nga Teherani që kishin në shënjestër zyrtarë të administratës Trump në kryeqytetin amerikan. Megjithatë, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Lauren Bis, u tregua e rezervuar, duke sqaruar se ndonëse administrata po monitoron të gjitha kërcënimet e mundshme, aktualisht nuk ka kërcënime të besueshme dhe asnjë tregues për një sulm të afërt.

Paralajmërimi i Presidentit Trump nga Manila

Duke folur për gazetarët që e shoqëronin gjatë vizitës së tij në Manila, presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi se autoritetet po i verifikojnë këto informacione dhe paralajmëroi pasoja të rënda në rast të një sulmi.

“Po hetojmë. Shpresoj që jo, por e marrim shumë seriozisht, sepse, sinqerisht, ata janë të çmendur. Epo, nëse ndodh, ata do të paguajnë një çmim që asnjë vend tjetër nuk e ka paguar më parë”, deklaroi Trump.

Reagimi dhe mohimi nga Teherani

Nga ana tjetër, autoritetet iraniane i kanë hedhur poshtë kategorikisht këto pretendime. Në një postim të publikuar në platformën X, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, i cilësoi raportimet e mediave amerikane si “të pabaza” dhe pjesë të një fushate propagandistike.

“Ata që nisën agresionin kundër Iranit tani po përpiqen të përgatisin terrenin mediatik për planet e tyre të liga duke fabrikuar dhe përhapur akuza të pabaza, duke përfshirë pretendimet e fundit të publikuara nga The New York Times dhe narrativën e fabrikuar mediatike rreth një ‘bombe të ndyrë’ të supozuar të përhapur nga CNN”, shkroi Baghaei, duke paralajmëruar se përmes këtyre raportimeve “po përpiqen të fabrikojnë një maskë legjitimiteti për agresion dhe mizori të mëtejshme”.

Duke bërë thirrje për reagim nga bashkësia ndërkombëtare, zëdhënësi iranian shtoi se Teherani “e di mirë se si t’i përgjigjet çdo akti agresioni dhe të sigurojë që ai të marrë një përgjigje të paharrueshme”, ndërsa paralajmëroi se heshtja përballë shkeljeve të normave ndërkombëtare “do të kenë pasoja shkatërruese, jo vetëm për rajonin, por për njerëzimin në tërësi”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme