Kanceri i qafës së mitrës në rënie, rreth 12 mijë testime në vit, kapen 25 raste prekanceroze

Shëndet | 16 minuta më parë

Ndryshe nga tendenca që shfaqin disa prej sëmundjeve të tjera tumorale, kanceri i qafës së mitrës në Shqipëri po shënon një rënie të rasteve të reja. Të dhënat tregojnë se incidenca është ulur mesatarisht me 2.6% në vit.

“Nëse në vitin 2015 regjistroheshin 133 raste, në vitin 2025 numri ka zbritur në rreth 100 raste”, u shpreh specialistja e ISHP-së, Ediona Kola.

Ulja sipas ekspertëve  i dedikohet programit kombëtar të depistimit ku vetëm vitin e kaluar u kryen 12 mijë teste të HPV, prej nga ku u identifikuan 25 raste prekanceroze pa i lënë kancerin të zhvillohet.

“Por një rezultat pozitiv për HPV nuk duhet të shkaktojë alarm. Prania e virusit nuk nënkupton se gruaja ka kancer, por kërkon kontrolle dhe ndjekje të mëtejshme mjekësore. Sipas të dhënave të depistimit, pozitiviteti ndaj HPV-së varion nga 5 deri në 10%, ndërsa rreth 25 raste me ndryshime prekanceroze identifikohen në faza të hershme, duke krijuar mundësinë e ndërhyrjes përpara zhvillimit të sëmundjes“, tha ajo.

Objektivi  qe OBSH ka vendosur është eliminimi i këtij kanceri deri në 2030 duke e ulur incidencën në 4 raste për 100 mijë banorë, që teorikisht do të duhet të përkthehet:

“90% e vajzave duhet të vaksinohen kundër HPV-së, 70% e grave të depistohen me teste me performancë të lartë dhe 90% e grave të identifikuara me ndryshime prekanceroze apo kancer të marrin trajtimin e nevojshëm“, u shpreh specialistja.

Shqipëria e ka përfshirë testin HPV në programin kombëtar të depistimit që prej vitit 2019. ISHP i bën thirrje të gjitha grave dhe vajzave t’i drejtohen qendrave shëndetësore për kryerjen e testit me qëllim parandalimin sa më të hershëm të këtij tumori.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme