Ambasadori i OSBE-së takohet me Kryetarin e Gjykatës së Lartë, fokusi te shteti i së drejtës dhe masat e sigurisë

Aktualitet | 14 minuta më parë

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran, zhvilloi një takim me Kryetarin e Gjykatës së Lartë, Ilir Panda, ku në fokus ishin çështjet kryesore që lidhen me funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe forcimin e shtetit të së drejtës. Lajmi u bë i ditur nga zyra e OSBE-së në Tiranë nëpërmjet një njoftimi në rrjetet sociale.

Gjatë bisedës, ambasadori Tarran uroi zotin Panda për detyrën dhe shprehu gatishmërinë e Prezencës së OSBE-së “të vijojë bashkëpunimin e ngushtë me Gjykatën e Lartë për forcimin e kapaciteteve institucionale”.

Në të njëjtën kohë, kreu i Prezencës shprehu shqetësimin lidhur me “aktet e dhunës ndaj mjediseve të Gjykatës së Lartë, më 17 tetor”.

Fokusi te masat alternative ndaj paraburgimit

Një prej shtyllave kryesore të identifikuara për bashkëpunim të mëtejshëm mes dy institucioneve ishte trajtimi i përdorimit të tepruar të masës së sigurimit “arrest në burg”.

Në këtë kuadër, ambasadori Tarran vlerësoi dhe mirëpriti vendimin e Gjykatës së Lartë të datës 4 maj 2026, i cili konfirmoi se caktimi i masës “arrest në burg ka natyrë përjashtimore dhe se masat alternative duhet të shqyrtohen realisht”.

Sipas Prezencës së OSBE-së, ky vendim pasqyron drejtpërdrejt rekomandimet e saj të dhëna ndër vite.

Në përfundim të takimit, ambasadori Tarran rikonfirmoi angazhimin e OSBE-së për të mbështetur institucionet shqiptare në disa drejtime kyçe:

  • Forcimin e shtetit të së drejtës;
  • Garantimin e pavarësisë dhe llogaridhënies së gjyqësorit;
  • Mbrojtjen e të drejtave të njeriut;
  • Rritjen e besimit të publikut te sistemi i drejtësisë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme