Komisioni i Ekonomisë miraton Aktin Normativ për kompensimin e bizneseve të dëmtuara në protesta, 125 subjekte kanë deklaruar 3,59 mln euro dëme

Komisioni parlamentar për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, nën drejtimin e kryetares Milva Ekonomi, miratoi Aktin Normativ “Për shpërblimin e dëmit civil të shkaktuar ndaj subjekteve të prekura nga aktet e dhunshme gjatë tubimeve dhe rregullimin e pasojave”, duke ia përcjellë atë për shqyrtim seancës plenare.
Gjatë prezantimit të nismës në cilësinë e komisionit përgjegjës, zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Mario Keputa, argumentoi urgjencën e miratimit të saj. Ai sqaroi se akti krijon një skemë shtetërore kompensimi për dëmet materiale të shkaktuara nga aktet e dhunshme gjatë tubimeve të periudhës 13 tetor – 22 tetor 2026.
Sipas kritereve të përcaktuara, përfitues të kësaj skeme janë personat fizikë ose juridikë privatë, të kategorizuar si biznese me qarkullim vjetor deri në 14 milionë lekë, bazuar në deklaratën vjetore të vitit 2025. Relatorja e çështjes, deputetja Antoneta Dhima, theksoi domosdoshmërinë e këtij mekanizmi “për mbështetjen dhe lehtësimin e barrës financiare të subjekteve përfituese”.
Bilanci i aplikimeve në Tatime, 3,59 milionë euro dëme të deklaruara
Paralelisht me procesin ligjor në Kuvend, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bëri publike të dhënat zyrtare mbi evidentimin e dëmeve në terren. Sipas Administratës Tatimore, një total prej 125 biznesesh të dëmtuara gjatë protestave kanë aplikuar deri më tani përmes shërbimit elektronik “Dëmi im” në portalin qeveritar e-Albania, me një vlerë totale të dëmeve të deklaruara online që arrin në 3,59 milionë euro.
Nëpërmjet një njoftimi zyrtar në rrjetet sociale, Administrata Tatimore bëri me dije se po vijon aktivisht procesin e vlerësimit të pasojave financiare në njësitë tregtare, duke u bërë thirrje edhe subjekteve të tjera të prekura të kryejnë deklarimin.
“Përmes shërbimit elektronik ‘Dëmi im’, bizneset vijojnë të raportojnë dëmet e shkaktuara në njësitë e tyre tregtare. Administrata Tatimore mbetet e angazhuar në mbështetje të bizneseve të prekura, duke lehtësuar procesin e raportimit dhe evidentimit të dëmeve”, thuhet në njoftimin e Tatimeve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





