Festivali i 65-të, 4 net muzikë dhe risi. Nata e nostalgjisë, këtë vit me këngëtarë të ftuar në skenë

Festivali | 5 minuta më parë

Festivali i Këngës në RTSH po i afrohet edicionit të tij të 65-të, një përvjetor që këtë vit vjen me disa risi, por edhe me elemente që kanë shoqëruar ndër vite traditën e këtij festivali të rëndësishëm të muzikës shqiptare.

Përgjatë katër netëve, muzika e re do të ndërthuret edhe me nostalgjinë e historisë së festivalit. Një prej risive të këtij edicioni lidhet pikërisht me natën e nostalgjisë. Ndryshe nga vitet e kaluara, këngët që kanë lënë gjurmë në historinë e festivalit nuk do të interpretohen nga artistët në garë, por nga këngëtarë të ftuar enkas për këtë mbrëmje.

“Derisa arrijmë në atë që shikojmë në Festival është një proces i gjatë. Ne kemi së paku që në qershor që mendojmë dhe punojmë për këtë gjë. Është shumë gradual sepse nuk është çështje vendimesh personale që i merr ky apo ai. Diskutohet në një grup fillimisht të ngushtë njerëzish, që janë ato që le të themi mbajnë përgjegjësinë kryesore. Hidhen ide, hidhen mendime për formën e për strukturën e katër netëve, për të gjitha. Pastaj ato shkojnë duke u shndërruar. Ndikohemi nga tjetri, ndikohemi nga vetvetja dhe derisa arrihet, si të thuash, kristalizohet në imagjinatën tonë se çfarë do jetë. Pastaj fillon një proces tjetër që të realizosh këtë dhe ky proces është shumë gradual. Pjesa e bendit të orkestrës ka filluar provën që me 2 nëntor, me 16 kemi filluar me orkestrën e madhe, dje kemi filluar me këngëtarët dhe do vazhdojmë deri me datën 10 -11 dhjetor që do transferohemi në skenë”, the Drejtori Artistik i Festivalit, Alfred Kaçinari.

Pyetje: Profesor, është 65-vjetori i Festivalit, një histori e gjatë, një rrugë e shtruar, por a ndihet ajo përgjegjësia që është një festival jubilek këtë vit?

Kaçinari: “Festivali ka peshë shumë të madhe dhe si të thuash njeriu e ndjen shumë këtë peshë në kuptimin e përgjegjësisë që ka për të punuar për këtë festival dhe është edhe një vlerësim i madh kur të thërrasim për t’u marrë. Për ne që merremi me muzikë, është maksimumi i asaj që mund të bësh dhe është më e mira që bëhet është Festivali i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, në mënyrën se si bëhet, në kualitetin se si bëhet, bëhet tërësisht live, me një orkestër profesioniste të mrekullueshme. Kështu që pesha është e madhe, por këtu është pjesa më e bukur e të gjithë kësaj”.

Përtej përgatitjeve artistike, një punë e madhe po zhvillohet edhe në prapaskenë. Provat me artistët, puna me orkestrën dhe koordinimi i një ekipi të gjerë janë pjesë e procesit që kërkon orë të gjata pune, deri në momentin kur gjithçka të jetë gati për skenën e festivalit.

“Çfarë ndodh në këto katër net? Janë 28 këngë konkurruese të cilët do paraqiten para publikut, 14 natën e parë dhe 14 natën e dytë. Nga seleksionimi i jurisë në çdo natë do dalin këngët që do vazhdojnë garën për çmimin e parë, natën finale. Kjo është vija trash. Kurse nata e tretë është nata e nostalgjisë që ka disa vite që zhvillohet në këtë mënyrë e cila i dedikohet tërësisht le të themi historisë, traditës, asaj që ka sjellë festivali në gjithë këto vite, në këto 64 vite festivale të mëparshme dhe ndryshe nga vitet e tjera, këngëtarët konkurrues nuk do jenë pjesëmarrës në këtë natë. Do jenë këngëtarë të tjerë që i kemi ftuar. Jemi përpjekur të ftojmë një numër të konsiderueshëm të këngëtarëve që i kanë kënduar këto këngë në versionin e parë kur janë paraqitur për herë të parë para publikut dhe një pjesë tjetër janë këngëtarë, le të themi shumë të njohur, por më të rinj të cilët do këndojnë këngë që janë kënduar nga këngëtarë të tjerë vite më parë. Pastaj sigurisht natën e fundit me votim të jurisë edhe të publikut do shpallen edhe këngët fituese”, bëri me dije Kaçinari.

Pas datës 10 dhjetor, i gjithë orkestracioni do të zhvendoset në Pallatin e Kongreseve, aty ku do të zhvillohet edhe edicioni jubilar për katër net më radhë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme