Rusia ndërmerr valë të gjerë sulmesh në Ukrainë, 3 të vrarë dhe 15 të plagosur. Bombardon 3 ura në Kiev

Rusia ka ndërmarrë një valë të gjerë sulmesh gjatë natës në Ukrainë, duke goditur me raketa balistike tre ura strategjike mbi lumin Dnipro në kryeqytetin Kiev. Si pasojë e sulmeve, tre persona kanë humbur jetën dhe 15 të tjerë janë plagosur, bëri të ditur kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko.
Sulmet vijnë pak ditë pasi Ukraina shkaktoi dëme të konsiderueshme në urën e Krimesë, një infrastrukturë strategjike që lidh Rusinë me gadishullin e pushtuar. Goditja ukrainase ndaj urës, e cila u shemb pjesërisht, u cilësua nga presidenti Volodymyr Zelensky si një operacion i planifikuar prej disa javësh.
Tre urat e goditura në Kiev janë ura Podilsko-Voskresensky, ura Darnytskyi dhe ura Jugore. Të gjitha janë mbyllur për qarkullimin e automjeteve, duke shtuar vështirësitë në lëvizje pas sulmeve hakmarrëse të ditëve të fundit.
Kryebashkiaku Klitschko u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet me automjete private drejt qytetit, përveç rasteve kur është absolutisht e nevojshme.
Gjatë sulmit është dëmtuar gjithashtu një objekt i rëndësishëm i infrastrukturës kritike, ndërsa shtatë punonjës të personelit mjekësor janë plagosur.
Sulmet ruse kanë prekur edhe qytete të tjera të Ukrainës. Në qytetin perëndimor të Lvivit, dy persona janë vrarë gjatë një sulmi ndaj një stacioni hekurudhor.
Ndërkohë, në Karkiv, katër persona kanë mbetur të plagosur pasi dronët rusë goditën një spital dhe një zonë të banuar, sipas autoriteteve lokale.
Forcat Ajrore të Ukrainës bëjnë me dije se Rusia ka lëshuar gjatë natës rreth 100 raketa, si dhe afro 400 dronë. Sulmi konsiderohet një nga më të mëdhenjtë që prej nisjes së pushtimit rus në shkurt të vitit 2022.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




