FSHF miraton bashkëpunimin për ndërtimin e dy fushave të reja futbolli në Shkodër

Futboll Vendi | 1 minutë më parë

Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit ka miratuar në mbledhjen e radhës në parim bashkëpunimin me Klubin e Futbollit Shkodra dhe shoqërinë FERAMARK sh.p.k. për ndërtimin e një kompleksi sportiv me dy fusha futbolli në qytetin e Shkodrës.

Projekti parashikon ndërtimin e një fushe me bar natyral dhe një fushe me bar artificial, të cilat do t’i shërbejnë zhvillimit të futbollit në qytet dhe do të krijojnë kushte më të mira për stërvitjen e ekipeve.

Investimi merr rëndësi të veçantë edhe në kuadër të organizimit të Kampionatit Europian U-21 në qershor 2027, ku Shkodra është një nga qytetet pritëse dhe kompleksi i ri do të shërbejë si infrastrukturë stërvitore për ekipet pjesëmarrëse.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, KF Shkodra dhe investitori privat do të kontribuojnë me sigurimin e truallit, rrethimin, ndërtimin e bazamenteve të fushave, si edhe me punimet brenda kompleksit.

FSHF do të mbështesë realizimin e dy fushave përmes shtrimit të tapetit artificial në njërën prej tyre, ndërsa për fushën me bar natyral do të kryejë shtresën përfundimtare të bazamentit, instalimin e sistemit të vaditjes, vendosjen e portave në të dyja fushat dhe mbjelljen e barit. Gjithashtu, FSHF do të sigurojë mirëmbajtjen e fushave deri në përfundim të kompeticionit, si edhe pajisjen me makineritë e nevojshme për mirëmbajtjen e tyre.

Ky investim është një tjetër kontribut në kuadër të projektit “100 Fushat” të FSHF-së, duke synuar zgjerimin dhe përmirësimin e infrastrukturës futbollistike në vend, si dhe krijimin e më shumë mundësive për zhvillimin e futbollit në Shkodër.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme