BE dhe Britania e Madhe nënshkruajnë marrëveshjen për lëvizshmërinë e të rinjve, deri në 100 mijë pjesëmarrës në vit

Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar kanë arritur marrëveshjen për skemën e re të lëvizshmërisë së të rinjve, e cila do t’u mundësojë deri në 100 mijë të rinjve nga secila palë të jetojnë, punojnë, studiojnë, udhëtojnë apo të kryejnë aktivitete vullnetare në territorin e njëri-tjetrit për një periudhë deri në tre vjet. Marrëveshja u finalizua në samitin BE-Britani të zhvilluar në Bruksel, duke shënuar një hap të rëndësishëm në përpjekjet për të rivendosur dhe thelluar marrëdhëniet mes palëve pas Brexit-it.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, konfirmoi përfundimin e negociatave për skemën, duke theksuar rëndësinë e saj për brezin e ri.
“Studentët e Mbretërisë së Bashkuar do të marrin pjesë përsëri në Erasmus+. Kjo është e mrekullueshme, na kanë munguar shumë”, u shpreh Von der Leyen.
Ajo bëri të ditur se skema do të përfshijë 100 mijë të rinj nga Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar, të cilët do të kenë mundësi të qëndrojnë deri në tre vjet në vendet e njëri-tjetrit.
“Plani është i rëndësishëm, pasi të rinjtë do të formësojnë të ardhmen”, theksoi presidentja e Komisionit Evropian.
Ndërkohë, kryeministri britanik Andy Burnham e cilësoi marrëveshjen si një moment historik dhe një fitore për të dyja palët.
“Është një moment historik dhe një ditë e mirë për Britaninë dhe Evropën. Marrëveshja që kemi arritur së bashku është një fitore për të dyja palët”, deklaroi Burnham.
Ai theksoi se qytetarët britanikë kërkojnë një marrëdhënie më të mirë me Bashkimin Evropian sesa ajo që u krijua pas Brexit-it.
“Njerëzit në Mbretërinë e Bashkuar duan një marrëveshje më të mirë sesa Brexit-i i vështirë me të cilin përfunduam. Sot, së bashku, arritëm atë marrëveshje më të mirë”, u shpreh ai.
Burnham foli gjithashtu për përfitimet ekonomike të marrëveshjes, duke theksuar se ulja e kostove të eksportit dhe reduktimi i burokracisë do të lehtësojnë presionin mbi konsumatorët dhe bizneset britanike.
Sipas tij, marrëveshja mund të kontribuojë në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto të Mbretërisë së Bashkuar me deri në 0.5%, ose rreth 17 miliardë paund. Nga ana tjetër, presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, theksoi se Bashkimi Evropian mbetet i gatshëm për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Britaninë.
“Evropa mbetet e hapur për të pasur marrëdhënien më të ngushtë të mundshme midis Bashkimit Evropian dhe Mbretërisë së Bashkuar”, deklaroi Costa.
Ai nënvizoi se bashkëpunimi duhet të ndërtohet mbi respektimin e vendimeve sovrane dhe mbi interesa të përbashkëta. Në kuadër të samitit, palët përfunduan gjithashtu negociatat për marrëveshjen mbi tregtinë e produkteve ushqimore dhe bujqësore, si dhe për lidhjen e sistemeve të tregtimit të emetimeve të karbonit. Von der Leyen i cilësoi marrëveshjet për ushqimin dhe produktet bujqësore si një “sukses të madh”, duke theksuar se ato do të sjellin ulje të kostove për konsumatorët.
Një tjetër pikë e rëndësishme e diskutimeve ishte bashkëpunimi në siguri dhe mbrojtje, si dhe hartimi i një plani të përbashkët për të luftuar migracionin e paligjshëm dhe për të parandaluar kalimet e rrezikshme përmes Kanalit të La Manshit. Sipas deklaratës së përbashkët të samitit, skema e lëvizshmërisë synohet të zbatohet jo më vonë se viti 2028, ndërsa mundësitë për përfituesit pritet të jenë të disponueshme jo më vonë se janari i vitit 2030.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




