“21 Janari”- Prokuroria e Tiranës shpalli moskompetencën, dërgon dosjen në SPAK

Një javë pasi SPAK regjistroi procedimin penal për 21 Janarin, Prokuroria e Tiranës i ka transferuar dosjen hetimore Prokurorisë së Posaçme.
Kjo e fundit ka kryer edhe veprimet e para duke marrë në pyetje familjarët e njërit prej personave që u vra ditën e protestës, Aleks Nikës.
Ishin familjarët e Nikës që vunë në lëvizje drejtësinë kur i kërkuan SPAK që të hetojë këtë dosje të mbetur pezull në Prokurorinë e Tiranës për 13 vite.
Në të njëjtën periudhë, Gjykata e Strasburgut doli në përfundimin se 21 janari ishte krim shtetëror dhe duhet të hetohet si i tillë nga drejtësia shqiptare.
Hetimet në SPAK do të drejtohen nga prokurori Alfred Shehu dhe për 21 janarin është ngritur edhe akuza e pengimit të zbulimit të së vërtetës.
Prokuroria e Posaçme ka ngritur 3 vepra penale për 21 janarin: shpërdorim i detyrës, “vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Hetimet për 21 janarin 2011 nisin pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës, që prej më shumë se një dekadë kërkon drejtësi për vrasjen e djalit të tyre, ndërkohë që është e vetmja vrasje pa autor në ngjarjen e 21 janarit.
RTSH
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




