Policia e Shtetit dhe EUROPOL organizojnë konferencën kundër kërcënimeve kriminale nga trafikimi i qenieve njerëzore

Aktualitet | 2 vite më parë
Policia e Shtetit dhe EUROPOL-i organizojnë në Tiranë Konferencën Plenare të EMPACT THB – Platforma Multidisiplinare Evropiane kundër Kërcënimeve Kriminale nga Trafikimi i Qenieve Njerëzore.
 
Në këtë aktivitet marrin pjesë rreth 60 përfaqësues dhe drejtues kundër trafikimit të qenieve njerëzore nga 44 agjenci të ndryshme të zbatimit të ligjit të vendeve të Europës dhe organizata ndërkombëtare, përshirë Shqipërinë.
 
Konferenca Plenare e EMPACT THB synon të diskutojë mes delegacioneve pjesëmarrëse praktikat më të mira në fushën e kërcënimeve kriminale nga trafikimi i qenieve njerëzore, si dhe lidhjet me krimin e organizuar, trafikimin e lëndëve narkotike dhe kontrabandën e migrantëve.
 
Në nisje të saj, Konferenca Plenare e EMPACT THB u përshëndet nga zëvendësministrja e Brendshme, Romina Kuko, e cila theksoi rëndësinë e parandalimit në luftën ndaj krimit të organizuar dhe trafikimit të qenieve njerëzore.
 
Konferenca e EMPACT THB është dëshmi e angazhimit të Policisë së Shtetit në rritjen e forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe goditjen e krimit ndërshtetëror. Gjatë punimeve, Policia e Shtetit do të paraqesë gjendjen aktuale, angazhimin dhe përpjekjet e saj në përballje me trafikimin e qenieve njerëzore.
 
Konferenca Plenare e Platformës Multidisiplinare Europiane kundër Kërcënimeve Kriminale nga Trafikimi i Qenieve, organizuar nga Policia e Shtetit dhe EUROPOL-i, është aktiviteti i dytë i përmasave të mëdha që zhvillohet në Tiranë brenda pak kohësh, pas Konferencës së 51-të Rajonale të INTERPOL-it për Europën javën e shkuar.
/rtsh.al/
 

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme