Nesër protestë para Bashkisë, Pano: Kërkojmë drejtësi, qytetarët të ngrenë zërin për vjedhjet që po u bëhen

Aktualitet | 2 vite më parë

Këshilltari bashkiak Jonathan Pano i ftuar në studion e RTSH 24 u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës së opozitës para Bashkisë së Tiranës për dorëheqjen e Kryebashkiakut Erion Veliaj.

Pano bëri me dije se ka depozituar një kërkesë për mbledhje të jashtëzakonshme me Kryebashkiakun Erion Veliaj në lidhje me raportimin financiar të Bashkisë. Ai theksoi gjithashtu se çdo familje shqiptare ka paguar 700 euro për incineratorin e Tiranës.

“Kemi depozituar me firmat e 21 anëtarëve të këshillit, kërkesën për një mbledhje të jashtëzakonshme ku thërrasim kryetarin e bashkisë për një interpelancë, ku duhet të vijë dhe të mbajë një raportim financiar të gjendjes së bashkisë së Tiranës.

Kërkojmë anulimin e vendimit që u mor në shkurt, për prishjen e një pallati në njësinë nr.8, ku janë 65 familje që preken nga ky vendim, që rastësisht pas 5 viteve pas tërmetit, paska probleme.

Po kërkojmë drejtësi dhe po kërkojmë që dinjiteti t’i jepet qytetarëve të Tiranës.

Me protestën tonë ne ngremë zërin për çështje që na shqetësojnë dhe janë kosto për qytetarë. 700 euro ka paguar çdo familje për incineratorin e Tiranës, për një gjë që nuk ekziston. Situatë shumë serioze. Qytetarët duhet të jenë në këmbë për të protestuar”, u shpreh ai.

Pano u shpreh se Kryebashkiaku dhe anëtarët e këshillit bashkiak të PS nuk po e lejon opozitën të kryejë detyrën e saj. Ai theksoi se opozita po pret mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak që dp të mbahet në muajin maj, për t’i kërkuar shpjegime Kryebashkiakut mbi gjendjen financiare të Bashkisë, dosjen “5 D” dhe vendimin e shkurtit për prishjen e pallati në njësinë nr.8 pesë vite pas tërmetit të 2019-ës.

“Bashkia e Tiranës nuk është e një grupi hajdutësh që mund të jenë atyre brenda dhe kanë mendjen për të përfituar për xhepat e tyre personal. Kemi kërkuar të na lejohet e drejta jonë për të ushtruar detyrën brenda orari zyrtar, por policia me urdhrat që ka marrë nuk i ka lejuar anëtarët e këshillit bashkiak për të hyrë në sallën e Bashkisë.

Pala tjetër funksionon me regji. Ne nuk ulim kokën dhe ngremë kartonin.

Në mbledhjen e fundit u njoftua 30 orë para nisjes së mbledhjes se do zhvillohej online, ndërsa ne ishim para bashkisë për të zhvilluar mbledhjen fizikisht. Kryetari I Bashkisë e trajtoi mbledhjen e këshillit bashkiak si miting partie.

Jemi para një situate ku mazhoranca ka votat për të miratuar aktet që ata dëshirojnë. Nuk po na lejohet të kryejmë detyrën tonë. Po presim mbledhjen e majit”, tha ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme