Task forcë për ekstradimet nga Dubai, Balla: Lufton krimin e organizuar

Shqipëria dhe Emiratet e Bashkuara Arabe pritet të ngrejnë një task force të përbashkët në luftën ndaj krimit të organizuar. Propozimi për ngritjen e kësaj task force është bërë gjatë vizitës së ministrit të Brendshëm Taulant Balla në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Balla është takuar me homologun e tij Said Bin Zayed, në Abu Dhabi me të cilin ka diskutuar lidhur me çështjet e bashkëpunimit dypalësh në fushën e sigurisë.
Ministri i Brendshëm theksoi se në paketën e task forcës do të përfshihet edhe ekstradimet apo deportimet.
“Me ministrin Said Bin Zayed ramë dakord, me propozimin e tij, të ngremë së bashku një Task Force mes dy ministrive, pjesë e së cilës të jenë dhe dy policitë tona, për të adresuar të gjitha çështjet e përbashkëta ku përfshihen edhe çështjet që lidhen me luftën kundër krimit, edhe asistenca që mund të përfitojë policia shqiptare nga qeveria e EBA. Këtu përfshihen edhe çështje për të cilat do të diskutojmë nesër me Ministrin e Drejtësisë sa i përket ekstradimeve apo deportimeve”, u shpreh Balla gjatë takimit me homologun e tij.
Balla vuri në dukje gjithashtu se në këtë aspekt është “diskutuar për çështje që lidhen me bashkëpunimin mes Interpol Tiranës dhe Interpol Abu Dhabit. Theksoj që bashkëpunimi ka qenë i mirë. Kemi pasur disa raste pozitive të trajtimit në mënyrë të veçantë e po ashtu do të vazhdojmë diskutimin për këtë çështje edhe me Ministrin e Drejtësisë për një çështje që ka marrë shumë vëmendjen në Shqipëri, që lidhet me ekstradimin e personave të kërkuar nga drejtësia shqiptare drejt Shqipërisë”
Gjatë takimit ministrat u dakordësuan për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve, nëpërmjet ngritjes së Task Forcës së përbashkët që do të adresojë të gjitha çështjet e përbashkëta, ku përfshihet lufta kundër krimit, edhe asistenca që mund të përfitojë policia shqiptare nga qeveria e EBA.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




