Tjetërsuan 151 mijë metër katrorë tokë në Durrës, në pranga 5 persona, mes tyre edhe ish-drejtuesi i Kadastrës

Pesë persona kanë rënë në pranga dhe 2 të tjerë janë shpallur në kërkim në Durrës, pasi akuzohen se kanë bashkëpunuar në tjetërsimin e dokumenteve të 151 mijë metër katrorë tokë në qytetin bregdetar.
Mes personave të arrestuar është edhe ish-drejtuesi i Kadastrës në Durrës, Leonard Kadrimi, i akuzuar për shpërdorim detyre. Po ashtu në pranga kanë rënë Lirim Xhameta, 58 vjeç dhe Dashnor Taulla 61 vjeç të akuzuar për mashtrim dhe pastrim të produkteve të veprës penale, Ardit Kërtusha, 33 vjeç dhe Gjovalin Ndoci, 44 vjeç, të akuzuar për pastrim të produkteve të veprës penale.
Në kërkim janë shpallur ish-jurist i Kadastrës, personi me inicialet M. Z., 46 vjeç, i akuzuar për shpërdorim detyre dhe një 65 vjeçar me inicialet K. K., banues në Durrës.
Hetimet zgjatën një vit, teksa dyshohet se nga tjetërsimi i dokumenteve të sipërfaqes së tokës, shtetasi i arrestuar Lirim Xhameta ka përfituar në mënyrë të paligjshme, rreth 75 mijë metër katrorë tokë, ndërsa Dashnor Taulla, ka përfituar një sipërfaqe toke prej 76 mijë metër katrorë. Ndërkohë ish-kreu i Kadastrës, Leonard Kadrimi ish-juristi dhe Ardit Kërtusha dyshohet se duke shpërdoruar detyrat në Kadastër, kanë lehtësuar tjetërsimin e pasurisë së paluajtshme.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.
Është vendosur sekuestro preventive për pasurinë e paluajtshme me sipërfaqe 151 000 m2, në lagjen nr. 15, Durrës. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




