Protesta para Kryeministrisë, 16 gjoba për bllokimin e rrugës, procedohen penalisht dy të mitur

Aktualitet | 1 orë më parë

Policia e Tiranës ka vendosur 16 masa administrative ndaj pjesëmarrësve në protestën e zhvilluar një ditë më parë para Kryeministrisë, pasi akuzohen se bllokuan rrugën dhe penguan qarkullimin e automjeteve. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, ata janë gjobitur me nga 5 mijë lekë gjobë secili për kundërvajtje.

Nga 16 gjobat e vendosura, 14 u janë dhënë personave të shoqëruar nga Policia, ndërsa dy të tjera janë vendosur pas identifikimit të protestuesve përmes pamjeve filmike.

Policia bën me dije se protestuesit nuk iu janë bindur thirrjeve të përsëritura të efektivëve, të bëra përmes megafonit, për lirimin e rrugës.

Ndërkohë, kanë nisur hetimet penale për dy shtetas të mitur. Sipas Policisë, ata dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe të maskuar, kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të organizuar nga studentët në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Materialet procedurale për të dy të miturit i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme Njoftimi i plotë i Policisë

Njoftimi i plotë i Policisë:

Procedohen penalisht 2 shtetas të mitur, të dyshuar për veprime të kundërligjshme gjatë protestës së djeshme.

Në zbatim të Aktit Normativ nr. 5, datë 28.10.2026, sipas pikës 2 të nenit 24/1, janë plotësuar 16 procesverbale për konstatimin e kundërvajtjeve administrative.

Masat administrative janë vendosur pasi, gjatë tubimit të zhvilluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë, këta shtetas kanë bllokuar rrugën, duke penguar qarkullimin e mjeteve të transportit. Pavarësisht thirrjeve të përsëritura të punonjësve të Policisë, nëpërmjet megafonit, për lirimin e rrugës, nuk u janë bindur këtyre thirrjeve.

Nga 16 masat administrative, 14 janë vendosur ndaj shtetasve të shoqëruar, ndërsa 2 të tjera janë vendosur bazuar në identifikimin e shtetasve nga pamjet filmike. Për secilin është vendosur masa e gjobës në vlerën 5 000 lekë.

Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për 2 shtetas të mitur, pasi më datë 02.11.2026, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, gjatë zhvillimit të tubimit të organizuar nga studentët, dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe të maskuar, kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë protestës së djeshme.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme