Si të negocioni me shefin për rritje page? Eksperti dhe sipërmarrësja zbulojnë ‘sekretet’

Pyetjes se si të negocioni me shefin për rritje page, iu kanë dhënë përgjigje sipërmarrësja Merita Muçaj dhe eksperti i punësimit Erion Muça në emisionin “Mirëmëngjesi Shqipëri”.
Eksperti i punësimit u shpreh se në Shqipëri negocimi i pagës, është negocim personal.
Ai deklaroi se paga duhet negociuar që në fillim, pasi nëse pritshmëritë për të janë të ulëta, pas disa vitesh do konsideroheni si investim i kompanisë.
“Lidhur me nivelin e pagës ka një komponent që i atribuohet pozicionit të punës. Në sektorin privat ka ende probleme përsa i përket niveleve të hierarkisë dhe funksionimit të brendshëm të kompanive. Edhe emërtimit të pozicioneve dhe nivelit që i përkojnë ato. Individët kur kërkojnë një punë nuk informohen shumë cilit nivel i takon pozicioni i punës që të marrin parasysh dhe pagën.
Lidhur me momentin e duhur, në Shqipëri sot një kandidat rekomandohet të ketë një pritshmëri shumë më të lartë nga mundësia që i ofrohet për punë nga ana e sipërmarrjeve dhe ky është komponent i negocimit personal. Në Shqipëri negocimi i pagës, është negocim personal.
Në Shqipëri nëse je brand dhe mark, shitesh shumë më shtrenjtë dhe ke pretendime shumë më të larta se kur je person i panjohur.
Lidhur me momentin kur duhet negociuar paga, unë mendoj që në start pritshmëria duhet të jetë e lartë duke e shoqëruar me mbulimin, aftësinë dhe zotësinë që ti ke për ta përmbushur këtë pritshmëri me rezultatet në punë. Nëse ti shkon në start dhe vihesh në dispozicion të punës dhe mundësive që ajo ka, automatikisht do nënvlerësohesh për mundësinë që ke se sipërmarrja do të konsiderojë si investim të vetin dhe jo si person që vjen me gjenerim idesh të reja”, tha Muça.
Sipërmarrësja Muçaj dha disa këshilla se çfarë duhet të bëni para se të filloni një punë.
“Kjo varet nga prioriteti që ka secili profesionist për karrierën e vet dhe pritshmëritë për të ardhmen. Paratë janë shumë të rëndësishme dhe janë të lidhura me karrierën, pasi nëse duam të trajnohemi dhe zhvillohemi, kanë kostot e tyre.
Bëhet një kërkim paraprak se ku janë nivelet e pagave për një pozicion pune të caktuar.
Ajo që është më e rëndësishme për çdo punëkërkues, është të informohet mbi politikat e kompanisë në drejtime të ndryshme, si për zhvillimin e karrierës, çfarë mundësish u jep punonjësve për t’u zhvilluar, të informohen rreth kushteve, ambienteve, teknologjisë, imazhit që ka në treg, mënyra si funksionon stafi, kultura që ka organizata. Këto janë shumë të rëndësishme për mirëqenien e punonjësit”, u shpreh ajo.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




