Lushnjë- Organizonin lojëra fati, finalizohet operacioni policor i koduar “Game Over”

Si rezultat i hetimeve të kryera nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë, në drejtimin e Prokurorisë së Fierit, në kuadër të një procedimi penal të regjistruar para disa muajsh, në këtë Prokurori, për veprën “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarisë së lojrave të fatit në kundërshtim me ligjin”, kryer në bashkëpunim, është finalizuar operacioni policor i koduar “Game Over”.
“Gjatë këtij operacioni, është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, e caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për shtetasit: -A. P., 40 vjeç, S. M., 34 vjeç dhe E. M., 36 vjeç, banues në Lushnjë (i dënuar më parë për veprën penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarisë së lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”).”, thuhet në njoftimin e policisë.
Gjatë periudhës hetimore ku janë kryer një sërë veprimesh me iniciativë dhe të autorizuara nga Prokuroria dhe Gjykata, si kontrolle banesash, lokalesh, sekuestrime dhe ekspertime të pajisjeve elektronike, është dokumentuar se këta 3 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, organizonin lojëra fati në ambiente të ndryshme të qytetit të Lushnjës, me qëllim përfitimin.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtjeshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




