Olsi Rama padi penale në SPAK për Gazment Bardhin: Ose unë në burg, ose ai të dënohet si fabrikues provash

Gazment Bardhi, deputet i opozitës, duket se do të përballet me drejtësinë, pasi për të është bërë një kallzim penal për shpifje. Padia penale ndaj Bardhit është bërë nga shtetasi Olsi Rama, i cili njëkohësisht është edhe vëllai i kryeministrit, Edi Rama.
Gazment Bardhi, për disa ditë me radhë, ka akuzuar Olsi Ramën se ka pasur lidhje me laboratorin e drogës në Xibrakë që u zbulua në vitin 2015. Bardhi, ndonëse pretendonte se ka fakte për këtë akuzë, deri tani nuk ka bërë ndonjë kallëzim në organet e drejtësisë, por është mjaftuar vetëm me deklarata. Ai i ka kërkuar SPAK-ut vetëm që të hetojë për akuzat që ai bën në daljet mediatike.
Por kjo situatë, e cila për ditë me radhë ka venë në qendër Olsi Ramën, duket se vlerësuar si e papranueshme për tej nga ky i fundit.
Olsi Rama, pasi ka hedhur poshtë akuzat e bëra nga Bardhi, paralelisht i është drejtuar SPAK-ut me një padi penale, nëpërmjet së cilës ai ka kallëzuar penalisht në SPAK deputetin Bardhi, duke mos i lënë asnjë hapësirë SPAK-ut që: ose ta fusë Olsi Ramën në burg si trafikant droge, ose Gazment Bardhi të dënohet për shpifje dhe fabrikim provash.
“Sot (e martë) kam depozituar në SPAK kallëzimin për deputetin e paturpshëm Gazmend Bardhi, i cili ka cënuar publikisht nderin dhe dinjitetin tim publik, si individ, prind dhe drejtues i një klubi të mirënjohur futbolli, duke shpikur një lidhje totalisht inekzistente mes meje dhe një grupi trafikantësh të drogës. Fakti që zotëria aspak i nderuar, ka marrë përsipër të më akuzojë si trafikant droge, thjesht dhe vetëm sepse unë jam vëllai i një kundërshtari politik, të cilin prej vitesh tanimë janë sfilitur më kot ta mundin, duke mos lënë asnjë anëtar të familjes sonë pa sulmuar me gjuhën e pistë të shpifjeve, kërkon përgjigje! Jo thjesht nga unë, po nga drejtësia!”, deklaron Olsi Rama në deklaratën për mediat.
Rama shprehet se nuk është politikan dhe s’ka asnjë lidhje tjetër me politikën, përveçse si votues i vëllait të tij, ashtu si qindra-mijëra të tjerë.
“Arsyeja kryesore e neverisë time të hershme me politikën është pikërisht kthimi i shpifjeve në një normalitet të jetës publike. Uroj shumë që SPAK-u, tek i cili bashkë me plot të tjerë kam edhe unë besim, si diçka ndryshe në zullumin kaq vjeçar të drejtësisë, të mos e çojë kallzimin tim në koshin e madh të këtij normaliteti absurd, që po shkatërron fare bazën elementare të besimit tek fjala dhe të vërtetat e këtij vendi. Pra po shkatërron vetë shoqërinë dhe po hedh në erë në mënyrë të pariparueshme themelet e edukatës për rininë.”, deklaron Rama.
Ai shprehet se është i gjithi në dispozicion të hetimit “të atyre që deputeti i pacipë i quan prova mbi përkatësinë time në një grup kriminal trafikantësh droge”.
“Ndërsa unë nuk mund t’i quaj ndryshe përveçse si shpifje për një fabrikim pervers me qëllim manipulimin e opinionin publik, për motive të dobëta politike. Troç fjala këtu s’mund të ketë dy të vërteta dhe ose unë duhet të shkoj në burg si trafikant ose Gazmend Bardhi duhet të ndiqet penalisht dhe dënohet si fabrikues provash në dëmin tim, të fëmijëve të mi, të klubit të futbollit “Partizani”, të miqve të mi dhe të njohurve të mi. Solidariteti i këtyre të fundit gjatë këtyre ditëve më lumturon, po nuk më mjafton. Shoqëria duhet të dijë të vërtetën dhe duhet ta mësojë nga drejtësia. Shqipëria s’mund të ketë një kryeministër që e ka vëllain një trafikant droge që lëviz i lirë nëpër Tiranë. Sikur edhe vetëm një shqiptar i ndershëm të gënjehet nga kjo maskaradë dhe ta besojë këtë çmenduri, të cilën as vetë sharlatani që e ka hedhur në pazarin e llafeve nuk e beson, kjo mjafton që drejtësia të mos heshtë duke e nënvleftësuar peshën e kësaj poshtërsie si as e para dhe as e fundit. Dikush, dikur, diçka, duhet të bëhet sebep që ky turp kombëtar i pashoq me asnjë vend në Europë – ku njerëz me mandate nga populli, me një mikrofon në ekran apo me një portal në internet gënjejnë e sajojnë po aq shumë sa marrin frymë – të goditet nga e vërteta e drejtësisë së re. Nëse është vërtetë e re natyrisht!”, deklaron Olsi Rama.


/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




