Aksesueshmëria e personave me aftësi të kufizuara, Bashkia e Tiranës gati të ndërhyjë në 18 objekte turistike

Objektet turistike në Tiranë në mjaft raste nuk garantojnë aksesin për personat me aftësi të kufizuara.
Në një kohë kur shifrat e vizitorëve kanë pësuar rritje të ndjeshme Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë një studim jo vetëm për evidentimin e problematikave në 65 objekte turistike ne territorin e bashkisë së Tiranës.
Drejtori i përgjithshëm i projekteve strategjike në Bashkinë e Tiranë, Genci Kojdheli thotë se ndërhyrja do të nis në 18 objekte, të cilat janë nën administrimin e Bashkisë me një fond prej 34 milion lekësh.
“Kemi bërë një plan të detajuar ndërhyrje të cilën po e konsultojmë me drejtorinë e Urbanistikës dhe me atë Punëve Publike. Do të ketë një buxhetim me faza në vite të ndryshme ku në fillim do të preken disa institucione të rëndësishme e më vonë do i shkojmë deri në fund kësaj liste”, tha Kojdheli.
Nga ana tjetër Bashkia do të krijojë të lehtësitë e nevojshme për kryerjen e ndërhyrjeve edhe në objektet që nuk janë në varësi të saj.
Ndërtimi i elementëve të aksesueshmërisë nuk do të prek vetëm objektet turistike, por edhe ato të shërbimeve.
Në vendin tonë numri i personave me aftësi të kufizuara është mbi 170 mijë.
Gazetare: Albana Agolli
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



