Shpërthimi i bombolave të gazit, Goxhaj: Sigurohuni të mos ketë rrjedhje, mbushini në pikat e licensuara

Shpërthimi i bombolave të gazit dhe ngjarjet e ndodhur së fundmi në vendin tonë, kanë qenë në fokus të emisionit “Jetë Shqiptare”.
Shkëlqim Goxhaj, Drejtor i Shërbimit Zjarrfikës i Bashkisë Tiranë, u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos mbushin apo rimbushin bombolat në pikat e karburanteve, por vetëm në pikat e licensuara.
Po ashtu, ai këshilloi që qytetarët të sigurohen që të mos ketë rrjedhje të bombolave, pasi një shkëndije e vogël do të rezultonte fatale.
“Ne kemi statistika vjetore. Në Tiranë rreth 60 ngjarje në vit, shpërthime të gazit në banesa që i bie 5 raste në çdo muaj.
Këto ngjarje për shërbimin zjarrfikës janë shumë të vështira dhe ngjarje që rrezikojnë jetën e qytetarëve. Me riskun më të lartë për jetën e qytetarëve. Shpërthimi i gazit në ambiente të mbyllura nuk i jep mundësi shërbimit zjarrfikës nëse dikush është i dëmtuar në ato momente.
Ngjarjet e disa viteve të fundit nuk kemi pasur ngjarje fatale fatmirësisht. Ka një kujdes më të shtuar nga qytetarët e bizneset që të mos kemi ngjarje të tilla.
Ajo që duhet të përqendrohemi është që te informacioni që duhet të japim te qytetarët kur përdorin gazin e lëngshëm”, tha Goxhaj.
Ky i fundit deklaroi se bombolat e kampingut, të cilat janë në ngjyrë portokalli, nuk duhet të përdoren në ambientet e shtëpisë.
“Bombolat e kampingut nuk duhen përdorur në banesë. Edhe kur ka rrjedhje gazi në ambient të hapur nuk dëmtojnë qytetarët.
Përdorimi i bombolave në banesa janë standarte. Të gjitha bombolat duhet të mbushen e rimbushen në pikat e licensuara dhe jo në pikat e karburantit. Shpërthimet me gaz po t’i shihni, ndodhin në momentet kur ndërrohet bombola e gazit, sepse ka presion.
Rrjedh gazi dhe kur ndezim dritën ndodh shpërthimi. Si ngjarje ndodhin në orët e para të mëngjesit, se gjithë natën rrjedh bombola, qytetari ndez cigare dhe ndodh shpërthimi”, u shpreh ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




