SPAK mbyll hetimet për ish-gjyqtarin Ilir Pashaj, akuza për korrupsion dhe fshehje pasurie

Ish-gjyqtari Ilir Pashaj do të përballet në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për akuzat e korrupsionit pasiv dhe fshehjes së pasurisë.
Në mbyllje të hetimeve për akuzat, prokurorët e SPAK-ut kërkuan edhe sekuestrimin e një apartamenti dhe automjeti në pronësi të ish-gjyqtarit. Organi i akuzës pretendon se pasuritë nuk ishin deklaruar, por ishin regjistruar në emër të kunatit dhe vjehrrit.
“I pandehuri Ilir Pashaj, për shkak të funksionit të tij si gjyqtar, nuk ka pasqyruar në deklaratat periodike të viteve 2015, 2016, dhe atë pas largimit nga funksioni, një automjet i targuar me targë AA……JM, duke fshehur në këtë mënyrë këtë pasuri të luajtshme. Gjithashtu ky i pandehur nuk ka pasqyruar në këto deklarata as pasurinë e paluajtshme të përfituar në emër të vjehrrit të tij Sh. B.. Gjyqtari Ilir Pashaj edhe pse është i njohur me detyrimin ligjor për të deklaruar gjithë pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, me dashje direkte i ka fshehur ato duke i regjistruar në emër të personave të tjerë të afërm të tij, duke konsumuar në këtë mënyrë elementë të veprës penale të parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal.
I pandehuri Ilir Pashaj, është kujdesur që përfitimet e parregullta të përfituara për shkak të detyrës së tij si gjyqtar t‘i maskojë në emër të të tjerëve (vjehrrit dhe kunatit), duke fshehur pronarin dhe burimin e vërtetë të këtyre pasurive, konsumuar në këtë mënyrë edhe elementë të veprës penale të parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal. Ky shtetas me anë të të transferimit të pasurisë që është objekt përfitimi të parregullt tek të afërmit e tij, me qëllim mbulimin e origjinës së paligjshme të këtyre pasurive, ka konsumuar elementët e pastrimit të produkteve të veprës penale të parashikuar nga neni 287/1 germa “a” e Kodit Penal.
Gjatë hetimeve paraprake të këtij procedimi me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.92, datë 07.02.2024, ka vendosur sekuestron preventive mbi pasurinë e paluajtshme të llojit apartament, me sipërfaqe 105.2 m2, me vendndodhje në Elbasan (në pronësi të shtetasit Sh. B. por që dyshohet se i përket të pandehurit Ilir Pashaj dhe që përbën produkt të veprës penale). Ky vendim është ekzekutuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan,” njoftoi SPAK.
Pashaj, sipas SPAK-ut, rezulton i përfshirë në një aferë korruptive me gjyqtaren Zamira Vyshka, me të cilën edhe u arrestua në korrik të vitit 2022, së bashku me tre të pandehur të tjerë në qarkun e Elbasanit.
Ngjarja lidhet me një çështje të vitit 2021, ku familjarë të një të dënuari së bashku me avokatin e tyre mbrojtës pretendohet se kanë korruptuar gjyqtaren e Elbasanit, Vyshkën, duke i ofruar para me qëllim lehtësimin e dënimit të tij. Gjyqtarja Vyshka u dënua me dy vjet burgim në janar të këtij viti, ndërsa avokati Ilir Pashaj u dënua me 1 vit e 4 muaj burg pas uljes së masës me një të tretën.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



