U rrezikua jeta e policëve gjatë operacionit antidrogë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore heton ngjarjen

Strukturat për hetimin kundër narkotikëve pranë drejtorisë vendore të Policisë Tiranë, gjatë veprimeve policore dje në rrugën “Mihal Duri”, me qëllim arrestimin e disa personave të dyshuar për veprën penale “Prodhim dhe shitje narkotikësh”, kanë hasur në kundërshtimin dhe mosbindjen e disa shtetasve.
Njëri prej tyre, duke drejtuar automjetin tip “Tiguan”, në tentativë për t’u larguar, ka kryer manovra të rrezikshme duke goditur dhe duke u bërë rrezik serioz për jetën e disa punonjësve të policisë, si dhe ka shkaktuar dëme materiale një automjeti të Policisë së Shtetit.
“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, po kryen të gjitha veprimet e nevojshme hetimore procedurale përfshirë këqyrjen dhe analizimin e pamjeve filmike të vendit të ngjarjes, me qëllim evidentimin dhe verifikimin e proporcionalitetit të veprimeve policore, nëse ato kanë qenë në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme.”, thuhet në njoftim.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se gjatë kryerjes së veprimeve policore, me qëllim arrestimin e personave të dyshuar, punonjësit e Policisë u kanë bërë disa herë thirrje personave të dyshuar të ndalonin tentativat për t’u larguar dhe në kushtet kur drejtuesi i mjetit nuk është bindur, duke kryer manovra me rrezikshmëri të lartë për jetën e punonjësve të Policisë, është përdorur armë zjarri për neutralizimin e mjetit.
“Për shkak të veprimeve intensive të punonjësve të Policisë si dhe lëvizjeve të çrregullta të automjetit, predha e armës, ka shpuar pjesën e derës së drejtuesit të automjetit, dhe si rezultat është plagosur shtetasi E.S., i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën.”, thekson njoftimi.
Lidhur me ngjarjen, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar në flagrancë tre shtetas, me iniciale E.S., SH.O., I.B., si edhe u shpall në kërkim shtetasi M. H., si të dyshuar për veprat penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë” dhe “Mosbindja ndaj punonjësve të policisë”.
Vijojnë hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




