Ish-ministri i Shëndetësisë, Beqaj: Gjykata duhet ndajë, jam në hetim apo palë e tretë?

Aktualitet | 3 vite më parë

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj u paraqit këtë të premte në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në zbatim të masës së sigurisë të vendosur nga Gjykata në kuadër të hetimit për koncesionin e sterilizimit.

Pas paraqitjes në SPAK, ish-ministri u ndal në një prononcim për mediet. Beqaj, duke theksuar se është i hapur ndaj hetimit dhe një përballje me gjykatën, shtoi se “SPAK nuk po i mundëson dokumentacionin mbi të cilin bazohet hetimi”.

“Jam i hapur dhe në dispozicion të hetimeve. Jam i bindur që ajo çfarë unë mendoj që është e drejta ime, do të përballet në Gjykatë dhe jo në Prokurori”, tha Beqaj.

“Vij këtu çdo të premte, paraqitem në SPAK, në zbatim të një vendimi të gjykatës, si person nën hetim. Kur kam kërkuar aktet, më është vënë përpara një urdhër i kancelares, që flet për palë të treta. Atëherë, duhet të ma ndajnë jam në hetim apo jam palë e tretë. Unë jam një person nën hetim dhe udhëzimi i përgjithshëm i drejtuesit të SPAK-ut i shtatorit, në lidhjen 1, flet për një proces verbal që e mban prokurori në librin e shpenzimeve, jo personi nën hetim. Personi nën hetim, në fund të hetimit siç e vendos gjykata paguan shpenzimet. Duhet ta ndajnë jam palë e tretë apo nën hetim?”, theksoi më tej Beqaj.

Lidhur me paraqitjen edhe të ish-ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu në SPAK, Beqaj theksoi se ka kërkuar që të hetohet përse nuk u vu në punë dy vite e gjysëm, por u mbajt aty, kur nevoja ishte ulëritëse.

“Ndërkohë kam kërkuar të hetohen avantazhet që ka sjellë kjo kontratë në krahasim me kohën kur përdorej centrali i sterilizimit”, përfundoi Beqaj.

/rtsh.al/

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme