Projekt pilot për pagesa dixhitale, Ibrahimaj: Do testohet në Tiranë, Përmet e Peshkopi

Qeveria ka gati një projekt pilot për nxitjen e pagesave dixhitale. Lajmi u bë me dije në podkastin “Flasim” të kryeministrit Edi Rama, ku ishte e ftuar Ministrja për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, e cila dha detaje rreth këtij projekti.
Ibrahimaj tha se ky projekt do të pilotohet në 3 qytete, përkatësisht Tiranë, Përmet dhe Peshkopi, ku 100 individëve në secilin qytet do t’i mbushen llogaritë nga qeveria me 10 mijë lekë, me qëllimin për t’i shpenzuar përmes platformave dixhitale.
Ibrhimaj tha se synimi i këtij projekti është jo vetëm për të lehtësuar pagesat, por edhe për të ulur informalitetin.
“Kemi menduar të bëjmë një projekt pilot në tre zona të ndryshme, Tiranë 100 individë, Peshkopi 100 individë dhe Përmet 1000 individë ku qeveria do t’i mbushë llogaritë e tyre për 4 muaj me një vlerë prej 10 mijë lekësh në muaj me qëllim që këto para t’i shpenzojnë përmes platformave dixhitale. Do të lidhim partneritet edhe me disa biznese që do pranojnë të bëhen pjesë e këtij projekti pilot me qëllim që të shohim edhe se çfarë problematikash do të dalin në përdorim nga qytetarët apo bizneset. Pse duhet të ndërhyrje qeveria? Sepse është interes publik që të reduktojmë cash në ekonomi të vijojmë formalizmin dhe ky është elemenmt komplementar i fiskalizimit. Me këtë pilot dhe këtë nxitje do mund të finalizojmë projektin tonë të fiskalizimit ku çdo gjë do jetë elektornike, e thjeshtë për individin, biznesin, për ta shtyrë përpara progresin e inovacionit”, theksoi ministrja.
Duke e konsideruar pagesën dixhitale si një risi të botës së re, kryeministri Rama tha se projekti do të provojë sesi funksionojnë pagesat dixhitale.
“Pagesat, në një vend ku sot 96% e pagesave kryhen nëpërmjet parasë fizike dhe ndërkohë që sektori bankar vë në dispozicion kartat të cilat janë 1% e volumit dhe përveç kësaj kanë edhe një kosto për konsumatorët pasi çdo transaksion i jep bankës një komision. Ne kemi folur për të zgjidhur përmes instrumenteve të botës së re një problem të botës së vjetër të ndërveprimit të drejtpërdrejtë fizik, që është marrja e pensioneve në zarf. Natyrisht nga ana tjetër që është pamundësi objektive që pensionistët të pajisen me karta banke. Këtu na vjen në ndihmë ajo që po ndodh në Shqipëri dhe ne duam ta promovojmë dhe jemi në ditët ku po përgatisim një projekt pilot për të provuar si funksionin një prurje e risive të botës së re”, tha Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



