Cilat ushqime provoi Zelenski në Tiranë? Në “Jetë shqiptare” flet shefi Fundim Gjepali

Aktualitet | 3 vite më parë

Shefi i kuzhinës Fundim Gjepali ishte ndër personat e vetëm jashtë trupës diplomatike dhe institucionale që arriti të takojë personalisht kryeshtetarin ukrainas, Volodimir Zelenski.

Presidenti i Ukrainës iu drejtua të mërkurën Samitit Ukrainë–Europa Juglindore në Tiranë. Pas deklaratave, marrëveshjeve e dhuratave të rastit nga kryeministri Edi Rama, për të ishte parashikuar edhe një drekë pune.

Z. Gjepali, si shefi i vetëm shqiptar që i shërbeu presidentit Zelenski, deklaroi në “Jetë shqiptare” në RTSH se vizita e tij u mbajt hermetike deri në momentet e fundit.

“Çdo gjë ishte top-sekret. As stafi i brendshëm nuk e dinte deri një ditë më parë. Askush nuk e dinte që ai do të drekonte aty atë ditë,” tha z. Gjepali.

Menuja e drekës ishte e pasur dhe e planifikuar për gati një orë gjysmë ushqim.

“Unë pata propozuar tre menu, nga vegjetariania te peshku. Zgjodhën një menu mishi. Menuja ishte e një dreke pun e përbërë nga pesë pjata të ndryshme, pjata të lehta, të freskëta me perime, pak të dhjamosura. Filluam me një karpaço viçi gjysmë të tymosur, me perime dhe një salcë me djathë. Pjatëz tjetër ishte një shkurtëz me një krem qiqrash dhe salcë pikante. Pjata tjetër ishte një rizoto me mish qingji dhe mente. Pjata kryesore ishte një fileto me tartuf dhe patate. Pjata e ëmbël ishte një krem lajthie. Presidenti ukrainas i konsumoi të gjitha pjatat dhe na komplimentoi,” tregoi shef Gjepali.

Siguria e presidentit Zelenski ishte përparësi gjatë qëndrimit të tij në kryeqytetin shqiptar.

Gjepali tha se ka eksperienca me drekat institucionale, por me z. Zelenski ishte ndryshe.

“Gjëja që ishte më ndryshe nga të tjerat këtë radhë ishte çështja e sigurisë. Rojat e [Zelenskit] ishin në gjithë lokalin tim. Ushqimin nuk e provuan, por unë vetë, po… Po flasim për një person, vendi i të cilit është në luftë. Pavarësisht se është bërë personazh nga mediet dhe situata, përgjegjësia nuk ishte e lehtë. Nuk ishte vetëm prezenca e tij, por edhe delegacionet e tjera shoqëruese në salla të ndryshme, rreth 100 persona në total… Afër Zelenskit ishte ulur kryeministri Rama. Në anën tjetër ishte ndoshta kryeministri i Kroacisë dhe në krahun tjetër presidentja e Kosovës. Presidenti [Aleksandër] Vuçiq nuk ishte për drekë,” u shpreh z. Gjepali.

Shefi i kuzhinës sqaroi se menuja që ai kishte përgatitur për presidentin Zelenski nuk ishte eksperimentale, por e konsoliduar edhe për vetë stafin e restorantit të tij.

“Zelenski ishte person shumë popullor dhe i komunikueshëm,” kujtoi shef Gjepali.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme