Baza Ajrore Taktike e NATO-s në Kuçovë inaugurohet më 4 mars

Ministri shqiptare e Mbrojtjes njoftoi të shtunën se Baza Ajrore Taktike e NATO-s në Kuçovë do të inagurohet më 4 mars.
Kjo bazë është shndërruar në një gjurmë të rëndësishme të prezencës së NATO-s dhe do të jetë në shërbim të stërvitjeve dhe operacioneve të ndryshme të Aleancës.
Ajo është e vetmja bazë taktike për operacionet kombëtare dhe operacionet me rëndësi strategjike të NATO-s në Ballkanin Perëndimor.
Investimi në Bazën Ajrore Taktike të NATO-s në Kuçovë arrin vlerën e rreth 45,8 milionë eurove.
Ajo konsiston në ndërtimin e depove të armatimit, ato të karburantit, stacioneve të armatimit, parkingut të avionëve, stacionit kundër avarive dhe zjarreve, rindërtimin e pistës dhe kullës së kontrollit.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në deklaratën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama gjatë vizitës disa orëshe në Tiranë, tha se në muajin e ardhshëm do të përurohet baza ajrore e NATO-s në Kuçovë.
Duke folur për bashkëpunimin e Shqipërisë në NATO, Blinken tha se Shqipëria ka luajtur një rol domethënës, duke ndihmuar në ruajtjen e paqes në Kosovë dhe duke frenuar agresionin e Rusisë në krahun lindor të Aleancës.
“Përgjatë 15 viteve të saj në NATO, Shqipëria ka dhënë kontribute domethënëse për aleancën tonë. Trupat e Shqipërisë ndihmojnë në ruajtjen e paqes në Kosovë, për të frenuar agresionin e Rusisë në krahun lindor të NATO-s. Muajin e ardhshëm, Shqipëria do të përurojë bazën e ajrore të NATO-s në Kuçovë”, tha Blinken.
Blinken shtoi se “fakti që pak javë më vonë do të përurohet baza ajrore e Kuçovës, është një mënyrë e mrekullueshme për të nënvizuar dhe theksuar angazhimin që Shqipëria ka bërë ndaj NATO-s dhe NATO ka ndaj Shqipërisë”.
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



