SPAK firmos memorandumin me NCA për goditjen e grupeve kriminale që operojnë në Britani

Aktualitet | 3 vite më parë

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, ka nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi me drejtorin e përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare britanike kundër Krimit (NCA), Z. Graeme Biggar, me qëllim goditjen e grupeve kriminale.

Sipas SPAK, ky memorandum shënon një hap për rritur luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, si jashtë ashtu edhe brenda vendit.

“Qëllimi kryesor i këtij memorandumi është të institucionalizojë partneritetin e suksesshëm tashmë të vendosur midis SPAK dhe NCA, në përpjekjen e përbashkët për të luftuar krimin e organizuar, pastrimin e parave dhe korrupsionin e zyrtarëve të lartë publik. Ky bashkëpunim thellohet dhe bëhet më i qëndrueshëm përmes këtij memorandumi, i cili do të ndihmojë në përshpejtimin e shkëmbimit të informacionit dhe përvojave më të mira në fushën e drejtësisë penale”, shkruhet në njoftimin e SPAK.

SPAK shpjegon më tej se ky memorandum parashikon angazhimin e të dy palëve për të forcuar “bashkëpunimin midis tyre por dhe për të lehtësuar marrëdhëniet me agjencitë e tjera ligjzbatuese në rritjen e luftës kundër krimit të organizuar ndërkombëtar”.

Me anë të këtij memorandumi parashikohet gjithashtu që të goditen disa prej grupeve kriminale shqiptare më të fuqishme që operojnë në Britaninë e Madhe.

“Përfaqësuesit e të dy institucioneve shprehën besimin e tyre të thellë, se bashkëpunimi i ngushtë midis tyre do të sjellë rezultate konkrete në goditjen e disa prej veprimtarive më të rëndësishme të grupeve kriminale shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Shqipëri, kryesisht në trafikun e narkotikëve, trafikimin e qenieve njerëzore, trafikimin e armëve të zjarrit dhe pastrimin e parave”, shpjegon më tej SPAK.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme