Prezantohet Udhërrëfyesi i parë i Jurisprudencës. Zaçaj: Një instrument i munguar në drejtësinë kushtetuese

Gjykata Kushtetuese në bashkëpunim me Zyrën e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, organizoi sot një aktivitet për prezantimin e Udhërrëfyesit (Guidës) së Jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese lidhur me Ankimin Kushtetues Individual.
Përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, avokatë, akademikë, profesionistë të së drejtës dhe partnerë ndërkombëtarë morën pjesë në veprimtarinë e organizuar, e cila u hap nga Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj dhe Kryetarja në Detyrë e Prezencës së OSBE-së, Clarisse Pasztory.

Pasi falënderoi partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen e dhënë në realizimin e këtij projekti, Kryetarja Zaçaj u shpreh se “realizimi i një udhërrëfyesi të jurisprudencës kushtetuese përbënte një domosdoshmëri dhe një instrument të munguar në drejtësinë kushtetuese shqiptare. Udhërrëfyesi përbën një dëshmi të pasurisë sonë kombëtare të mendimit juridik kushtetues të materializuar në vendimet e Gjykatës. Shumë syresh kanë vlera të padiskutueshme historike dhe shumë të tjera përbëjnë gurë themeli në të drejtën shqiptare, duke kontribuar qenësishëm në zhvillimin e saj.”
Në fjalën e saj përshëndetëse, znj. Clarisse Pasztory, Kreu në detyrë i Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, pasi vuri në dukje rëndësinë e Guidës, theksoi mbështetjen e Zyrës së Prezencës së OSBE-së për Gjykatën Kushtetuese, si dhe angazhimin për vazhdimësinë e kësaj mbështetjeje.
Udhërrëfyesi synon të përmirësojë cilësinë e ankimeve kushtetuese individuale, duke kontribuuar për rritjen e aksesit të qytetarëve në Gjykatë dhe për mbrojtjen më të mirë të të drejtave dhe lirive të tyre themelore.
Prezenca e OSBE-së e mbështeti hartimin e Udhërrëfyesit si pjesë e projektit të saj “Forcimi i shtetit së drejtës dhe promovimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Shqipëri nëpërmjet mbështetjes për Gjykatën Kushtetuese”, financuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Italia dhe Greqia.

Prezenca do të vazhdojë të mbështesë Gjykatën Kushtetuese në përpjekjet e saj për të rritur transparencën, aksesin dhe efikasitetin e veprimtarisë së saj si edhe forcimin e kapaciteteve institucionale për të mbështetur sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe angazhimet e OSBE-së.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve të drejtësisë, të sistemit gjyqësor, avokatë, akademikë e profesionistë të së drejtës, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe organizatave ndërkombëtarë partnere.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




