Zjarri te QSUT, Fico: Dëm i kufizuar, rastet e urgjencave do devijohen te “Trauma” dhe “Shefqet Ndroqi”

QSUT nuk do të presë rastet e urgjencave këtë të diel, për shkak të situatës së krijuar prej përfshirjes nga flakët të katiti -1 të urgjencës. Kështu bëri me dije Drejtoresha e QSUNT Albana Fico, e cila theksoi se rastet e urgjencave do devijohen te Spitali i Traumës dhe “Shefqet Ndroqi”, deri në garancitë përfundimtare teknike.
Fico tha se shkak i ngjarjes ka qenë një defekt në një dhomë teknike, teksa shtoi se dëmi i shkaktuar është i kufizuar në vetëm një dhomë. Për siguri, disa pacientë janë transferuar në ambiente të tjera brenda QSUT-së, teksa drejtoresha Fico bën me dije se nuk ka patur shfaqje komplikacionesh te pacientët.
“Ka në vijim akoma një sinjal teknik alarmi, që tregon se kjo ndërtesë ka elementë shumë të larët sigurie që bëjnë të mundur që pacientë të jenë të sigurt. Ka qenë një defekt në një dhomë teknike që po vlerësohet dhe po monitorohet, ndërkohë që i gjithë grupi teknik ka nën kontroll çdo lloj elementi. Është një dëm i kufizuar në vetëm një dhomë teknike dhe nuk ka prekur asgjë tjetër. Spitali qendror është një spital që trajton rastet më të rënda, menjëherë shërbimet kanë marrë masat përfshirë dhe reanimacionet.
Pacientë, për siguri më të lartë i kemi lëvizur brenda QSUT-ës. Nuk ka ndryshime të parametrave të tyre, asgjë për një përkeqësim të gjendjes, janë në vijimin e trajtimit të tyre. QSUT ka planin e vet të emergjencës që u testua me sukses. Rastet e urgjencës do të devijohen te Spitali i Traumës dhe ‘Shefqet Ndroqi’, deri në garancitë përfundimtare teknike. QSUT pavarësisht se nuk do jetë në gjendje të pritjes së urgjencave siç do të ishte në një ditë normale është e organizuar që të drejtojë të gjithë ata pacientë që do të vijën vetë dhe jo nëpërmjet 127”, tha Fico.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




