Arkivi i Shtetit në epokën digjitale, Bido: Objektivi kryesor është ndërtimi i muzeut arkivor

Arkivat janë kujtesa e një populli, ADN-ja që përshkon gjithë qelizat e një kombi e sot, Arkivi i Shtetit ruan me fanatizëm pas mureve të tij mijëra km letrash duke i dalë në krah historisë. Gjatë 5 apo 6 viteve të fundit, raftet e këtij institucioni janë shtuar me prurje të reja, proces që vijon paralelisht me digjitalizimin.
Akti i dhurimit të 8 mijë dokumenteve autentike të shqiptarëve që kanë jetuar e punuar në SHBA bashkë me një pjesë të rëndësishme të gazetës Albania, duhet të shërbejë edhe si shembull pasi njerëzit duhet të ndërgjegjësohen që disa libra apo dokumente është më mirë që të ruhen brenda 4 mureve të këtij institucioni.
“Dokumentacioni i ruajtur jashtë kushteve që duhet ruajtur prishet, prandaj Arkivi i Shtetit është vendi i vetëm që tashmë i ka të gjitha standardet e nevojshme për t’i ruajtur këto dokumente siç duhet”, tha Ardit Bido, drejtor i Arkivave të Shqipërisë.
Ne 5 vitet e fundit janë shtuar mbi 2 milionë dokumente të ardhura nga Stambolli mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, qindra mijëra nga arkiva të tjera dhe që sot janë të aksesueshme në arkiv por ka edhe fonde të caktuara që janë në fokus të arkivit siç është Konsullata Shqiptare në Bari e disa koleksione personale në Rumani dhe Egjipt që dokumentet të riatdhesohen.
“Jemi në diskutime edhe me arkiva që duken shumë larg, p.sh. arkivi moldav që jemi afër arritjes së marrëveshjes për të marrë dokumentacionin e princërve të Moldavisë që kanë qenë me origjinë shqiptare”, tha Bido.
Gjatë viteve të fundit me aplikimin e sistemit elektronik është rritur edhe numri i studiuesve por objektivi është edhe më ambicioz.
“Me hapjen e Muzeut arkivor që do të bëhet gjatë këtij viti, ne jemi të sigurt që do të rritet numri i njerëzve që do të vijën dhe do të mahniten me dokumentet e trashëgimisë kulturore kombëtare që ruhet në arkivën shqiptare”, tha Bido.
Ndërkohë, katalogu online ka mbi 3 milionë tituj dosjesh. Kjo është baza më e madhe albanologjike në botë dhe është thjeshtësisht i arritshëm për këdo nëpërmjet faqes së internetit.
Gazetar: Olsi Karagjozi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




