U shkatërrua nga tërmeti i 2019-ës, Bashkia e Tiranës jep bonus qiraje për familjet që jetonin në ish Komunale

Familjet që kishin zaptuar godinën e ish Komunales në Tiranë, e cila u shkatërrua nga tërmeti i 2019-ës, do të ndihmohen me bonus qiraje nga Bashkia e Tiranës dhe paralelisht po shihet mundësia e strehimit të tyre në banesa sociale. Një pjesë e këtyre familjeve, prej vitit 2013, nuk paguanin as qiranë e lidhur me Entin e banesave, por nuk kanë asnjë dokument pronësie, çka fillimisht ka sjellë edhe skualifikimin e tyre nga trajtimi me bonus qiraje.
Ndërkohë, për 20 familjet e tjera, që jetonin në të njëjtën godinë, të cilat janë treguar korrekte me pagesat e tyre pranë Entit dhe kanë pasur dokumentacionin përkatës, janë trajtuar që në fillim me bonus qiraje dhe do të përfitojnë edhe banesë sociale.
Megjithatë, për familjet e skualifikuara ka një lajm të mirë nga Bashkia e Tiranës. Përmes një urdhri të kryebashkiakut Erion Veliaj, është gjetur zgjidhja nga Bashkia e Tiranës, e cila ka vendosur të vijojë me nënshkrimin e kontratës së qerasë, pa asnjë tarifë, për familjet zaptuese të godinës së ish Komunales në Njësinë 4. Ashtu sikurse familjet e tjera, edhe kjo kategori, pavarësisht se nuk ka asnjë dokument pronësie dhe nuk kishte paguar qiranë pranë Entit, po bëhen pjesë e programit për përfitimin e bonusit të qerasë dhe një banese sociale.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




