Dyshime për korrupsion, SPAK arreston kreun e Dhomës së Avokatisë Korçë

Aktualitet | 3 vite më parë

Prokuroria e Posaçme ka arrestuar kreun e Dhomës së Avokatisë Korçë, Arben Lena, i cili ka dalë i përfshirë në skemën e korrupsionit ku kërkohej lehtësimi i masës së sigurisë për një të dënuar në Korçë.

Arrestimi i tij ka ardhur me kërkesë të SPAK pas dyshimeve për përfshirjen në korrupsion, ku kërkohej shuma prej 5 mijë euro lidhur me zbutjen e masës së sigurisë për të dënuarin B.K. i cili po hetohej për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Arben Lena akuzohet se ka marrë përsipër ndikim të paligjshëm në radhët e gjyqësorit për zbutjen e masës së sigurisë për një person, i cili ishte arrestuar për trafikim emigrantësh

Në dhjetor të 2023, SPAK arrestoi disa funksionarë publik në Gjykatën e Korçës, ku dyshohet se kanë ushtruar ndikim në mënyrë të paligjshme  ndaj personave që ushtrojnë funksione publike për zbutjen e masës së sigurisë për të dënuarin B.K.

Sipas SPAK “nga hetimet e kryera deri në këtë fazë të hetimit është krijuar dyshimi i arsyeshëm se shtetasit D. K., N. H., N. J., B. K. dhe A. K., në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” në formën e kërkimit të përfitimit të parregullt të një shume prej 5000 (pesë mijë) eurosh me qëllim ushtrimin e ndikimit në Gjykatën e Apelit Korçë për zbutjen e masës së sigurimit të shtetasit B. K., i cili hetohej per veprën penale te parashikuar nga neni 298 i K. Penal. Shtetasi D.T., dyshohet se ka kryer veprën penale të “Moskallëzimi i krimit”, parashikuar nga neni 300 i K. Penal.”

Në dhjetor të 2023, me kërkesë të SPAK, GJKKO vendosi masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, ndaj N. H., B.K., N. J.,  të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245/1/2-25 i K. Penal.

Gjithashtu u caktua masa e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, ndaj avokates D. K., e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe u lanë në “detyrim paraqitje” ndaj D.T. për “Moskallëzimi i krimit” dhe A. K. Për “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme