“Gërdeci”, Mediu: Ishte përgjegjësi e ushtrisë, unë kam zbatuar vetëm ligjin

Aktualitet | 3 vite më parë

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i pranishëm në seancën e radhës për tragjedinë e Gërdecit në Gjykatën e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit, deklaroi për mediat se nga gjyqi i sotëm doli në pah se përgjegjëse kryesore për Gërdecin kanë qenë Forcat e Armatosura.

Ai tha se nuk ka bërë asgjë tjetër veçse ka zbatuar ligjin dhe detyrimet ndërkombëtare.

“Doli qartë edhe një gjë, ndarja e civilëve nga ushtarakët. Dëshmia e fundit e Zenun Feros tregoi qartë se cilat ishin përgjegjësitë e Forcave të Armatosura. Pas një urdhri të ministrit, duhet patjetër të zbatoheshin urdhrat nga Shtabi i Përgjithshëm dhe nga strukturat e Forcave të Armatosura si për distancatm si për sasitë si dhe për mënyrën e zhvillimit të procesit të demontimit të cilat nuk janë përgjegjësi e ministri.

Doli e qartë një gjë që qarkullimi i mallrave brenda Ministrisë së Mbrojtjes sipas vendimit të Këshillit të Ministrave bëhet pa pagesë. Është një proces që tregon se ministri i Mbrojtjes nuk ka bërë asgjë përveçse ka zbatuar ligjin, detyrën dhe detyrimet ndërkombëtare”, u shpreh Mediu.

Sa i përket pritshmërisë nëse në seancën e radhës do të dëshmojë ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm Luan Hoxha, Mediu tha se ai nuk ka dijeni për një gjë të tillë. Ndërsa vuri në dukje se në interes të zbardhjes të së vërtetës mbi tragjedinë e Gërdecit, është mirë që të vijnë të dëshmojnë të gjithë ata që kanë dijeni dhe informacion.

“Këto janë dëshmitarët e prokurorisë dhe unë nuk jam në dijeni se kush do të dëshmojë dhe kush nuk do të dëshmojë. Shpresoj që të gjithë të vijnë të dëshmojnë dhe të gjithë të flasin. Ka raste kur dëshmitarët përfitojnë nga fakti i të heshturit për shkak të procedimeve që ka pasur. Në interes të zbardhjes të së vërtetës do ishte mirë që secili të mbante një qëndrim dhe të thotë të vërtetë ashtu siç ka menduar, ashtu siç ka gjykuar dhe ashtu siç ka vepruar”, tha Mediu për mediat.

Ish-ministri, Fatmir Mediu është marrë i pandehur nga GJKKO për shpërdorim detyre në tragjedinë e Gërdecit ku vdiqën 26 persona dhe u plagosën qindra të tjerë.

Në seancën e radhës që do të mbahet më 7 shkurt, prokuroria ka thirrur Luan Hoxhën, ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm që ndodhet në Amerikë për të dëshmuar mbi masakrën e Gërdecit të 15 marsit 2008.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme