Skela dëmtoi kalimtarët – Vihen në pranga 3 persona, mes tyre edhe punëtori i ndërtimit

Policia ka vendosur në pranga 3 persona, pasi akuzohen se nuk kanë respektuar rregullat e sigurimit teknik në punë dhe për pasojë u dëmtuan dy kalimtarë nga rënia e skelës së një pallati në ndërtim.
Të arrestuarit janë konkretisht punëtori i ndërtimit, inxhinieri dhe sipërmarrësi i firmës në të cilën kryheshin punimet në bulevardin “Gjergj Fishta” në kryeqytet.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të veprimeve hetimore të kryera për ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në bulevardin “Gjergj Fishta”, ku nga një pallat në ndërtim e sipër, ra një skelë që dëmtoi dy kalimtarë, arrestuan shtetasit: E. O., 41 vjeç, E. K., 41 vjeç dhe Z. K., 49 vjeç, të tre banues në Tiranë, të punësuar respektivisht punëtor ndërtimi, sipërmarrës dhe inxhinier, në firmën që kryente punimet për ndërtimin e pallatit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ngjarja e rëndë ndodhi paraditen e djeshme në bulevardin “Gjergj Fishta”, ku dyshohet se për shkak të mosrespektimit të rregullave të sigurimit teknik në punë, nga kati i 13-të i pallatit në ndërtim, ka rënë një skelë metalike që dëmtoi dy kalimtarë të rastit, shtetasit I. Sh., 38 vjeçe dhe H. L., 72 vjeç, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkaq, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




