U bllokuan pasditen e djeshme në Korab, shpëtohet me helikopter çifti zviceran

Aktualitet | 3 vite më parë

Një çifti zviceran që mbeti i bllokuar në malin Korab janë shpëtuar me helikopter. Ata mbetën të bllokuar pasditen e djeshme, ku në shpëtim të tyre u përfshinë edhe forcat e KFOR.

Çifti zviceran është dërguar në spitalin e Traumës në Tiranë, ku dëmtime duket se ka marrë vetëm bashkëshorti, i cili ka thyer njërën këmbë.

“Pas përpjekjeve të përbashkëta të efektivëve tanë, policisë dhe KFOR, të angazhuar në operacionin e shpëtimit të turistëve zviceranë është bërë e mundur tërheqja e tyre nga vendi ku ishin bllokuar. Ata janë transportuar për ndihmë shëndetësore në Spitalin e Traumës”, njofton Ministria e Mbrojtjes.

2 turistë nga Zvicra kishin humbur rrugën gjatë eksplorimit në mal, për shkak të dëborës dhe terrenit të thepisur.

Pas 8 orësh kërkime intensive në temperatura shumë të ulëta dhe në terrenin e thepisur të malit të Korabit, është bërë i mundur lokalizimi i 2 turistëve, në vendin e quajtur “Maja e Sokolit”.

Për rastin edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla vizitoi në Spitalin e Traumës në Tiranë, i cili u interesua rreth shëndetit të tyre.

Balla falënderoi oficerët e KFOR që realizuan transportin helikopter, nga një pikë e vështirë malore në zonën e  Kalasë së Dodës.

 “Si në shtëpinë dhe në besën e shqiptarit. Ka përfunduar me sukses shpëtimi i dy turistëve zviceranë, të bllokuar në Malin e Korabit, njëri prej te cilëve kishte dëmtuar gjymtyrët e poshtme për shkak të një orteku dëbore. Mirënjohje forcave të Policisë së Shtetit, të Policisë së Kosovës, Federatës së Alpinizmit të Kosovës, Ministrisë së Mbrojtjes dhe KFOR, pa angazhimin e të cilëve nuk do të ishte bërë i mundur ky operacion i vështirë shpëtimi”, shkruan Balla.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme