21 Janari, Prokuroria çon jashtë për shqyrtim provat e pretenduara të familjarëve

Aktualitet | 3 vite më parë

13 vite nga tragjedia e 21 Janarit, Prokuroria e Tiranës ka vendosur t’i drejtohet autoriteteve të huaja për të qartësuar vrasjen ende të pazbardhur të 4 personave.

Organi hetimor renditi zhvillimet kronologjike prej ekzekutimit të Ziver Veizit, Faik Myrtajt, Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës, deri në proceset e ndryshme gjyqësore për të nxjerrë përgjegjësit.

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) nëntorin e kaluar vërejti mangësi të shumta në vendimin e saj, të cilat ngrenë dyshime se autoritetet e kohës mund të jenë përpjekur për ta devijuar zbardhjen e tragjedisë.

Vetë familjarët e viktimave kanë thënë se kanë si prova shkëmbime zanore të ushtarakëve që ishin në detyrë për të ruajtur rendin pranë Kryeministrisë ditën e 21 Janarit.

“Por në deklarimet e dhëna prej tyre është evidentuar se ky material nuk do të dorëzohej në funksion të hetimeve që zhvillon Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, por para Strukturës së Posaçme Anti Korrupsion, në momentin që ky procedim do të hetohet prej tyre. 

Në funksion të hetimeve të zhvilluara prej prokurorit, është vendosur të bëhet vlerësimi dhe ekspertimi i provave të sekuestruara gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe këqyrjes së viktimës, duke iu drejtuar autoriteteve kompetente të huaja, prej të cilëve për shkak të sensibilitetit dhe natyrës së çështjes është kërkuar konfidencialitet,” njoftoi Prokuroria e Tiranës.

Duke kujtuar respektimin e garancive të një procesi që është në hetim, prokurorët bëjnë me dije se gjatë hetimeve që do të kryhen do të mbahen parasysh edhe aktet e GJEDNJ-së, që kanë lidhje me këtë procedim penal.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme