Bie intensiteti i reshjeve të dëborës, shtohet shqetësimi për ngricat për shkak të temperaturave që ulen gjatë natës

Ministria e Brendëshme dhe ajo e Mbrojtjes kanë bërë apel të shtunën në mbrëmje që, drejtuesit e mjeteve të bëjnë kujdes gjatë natës, pasi, ndonëse intensiteti i reshjeve të dëborës ka rënë, rrezik tani mbeten ngricat, të cilat shkaktohen nga ulja e temperaturave gjatë natës.
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla informoi pak minuta më parë se reshjet e dëborës po vijojnë në disa zona, por me intensitet mesatar, por ulja e temperaturave gjatë natës, sipas tij, shton rrezikun për shkak të akullit në rrugë.
“Shërbimet e Policisë se Shtetit do vijojnë të jenë në gatishmëri dhe prezentë në rrugë përgjatë gjithë natës, ndërkohë që ARRSH dhe njësitë e qeverisjes vendore vijojnë të punojnë për hedhjen e kripës në akset rrugore. Drejtuesit e automjeteve duhet të rrisin vigjilencën dhe të zbatojnë me përpikmëri rregullat e qarkullimit rrugor si dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë dhe të autoriteteve të tjera shtetërore.”, shkruan Balla në plaftomën Facebook.

Peleshi: Shmangni lëvizjet e panevojshme
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka ofruan të dhënat më të fundit lidhur me situatën e krijuar nga moti i keq në të gjithë vendin. Sipas tij, kjo situatë është në monitorim të vazhdueshëm nga të gjitha strukturave shtetërore.
“Grupet e punës në terren vijojnë ndërhyrjet deri në zonat më të thella për të qenë pranë çdo banori, veçanërisht në qarqet Shkodër, Dibër, Kukës, Elbasan, Korçë, ku reshjet e borës dhe shiut kanë krijuar problematika. Në aksin Elbasan-Qafë Thanë është ndaluar qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë, për shkak të reshjeve të borës. Përsërsim thirrjen për të gjithë qytetarët të kufizojnë lëvizjet e panevojshme në këtë situatë dhe të kërkojnë ndihmën e strukturave vendore në rast nevoje”, shkruan Peleshi.

ARSH: Vijon puna me borëpastrueset
Nga ana tjetër edhe Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar përmes rrjeteve seociale se në aksin Bogë-Theth intensiteti i reshjeve të dëborës ka rënë, por mjetet borëpastruese po vijojnë punën për pastrimin e rrugës.
Po ashtu raportohet se tanimë rruga është e hapur për qarkullimin e mjeteve.
Sakaq, ARRSH këshillon drejtuesit e mjeteve të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë për në segmentet me prezencë dëbore, të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.
“Në Bogë-Theth intensiteti i reshjeve ka rënë, por mjetet borëpastruese po punojnë pa ndërprerje për pastrimin e dëborës zgjerimin e pjesës kaluese dhe shpërndarjen e kripës për evitimin e ngricave. Rruga është e hapur për qarkullimin e mjeteve. Drejtuesit e mjeteve të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë për në segmentet me prezencë dëbore, të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore”, shkruan ARRSH.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




