VIDEO- Aksi rrugor Përrenjas- Qafë Thanë, policia: Makinat të përdorin goma dimërore dhe zinxhirë

Aktualitet | 3 vite më parë

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan ka rritur praninë e shërbimeve të Policisë në akset rrugore urbane e rurale, për shkak të motit të keq dhe reshjeve të dëborës, me qëllim për t’iu ardhur në ndihmë dhe këshilluar drejtuesit e mjeteve.

Policia bëri të ditur se aktualisht aksi rrugor Përrenjas-Qafë Thanë është përfshirë nga reshje dëbore dhe nuk do të lejohen që automjetet të kalojnë pa goma dimërore dhe pa zinxhirë.

Njëkohësisht po bashkëpunohet me pushtetin vendor dhe firmat kontraktuese për pastrimin e rrugëve nga bora, nga rënia e materialeve në zonat me intensitet shiu dhe për shpërndarjen e kripës.

Policia Rrugore e Elbasanit apelon për drejtuesit e mjeteve që të bëjnë kujdes në lëvizje, të respektojnë sinjalistikën rrugore  të reduktojnë shpejtësinë, të pajisen me zinxhirë dhe goma dimëror, të ndjekin udhëzimet e shërbimeve tona të Policisë Rrugore.

“Për shkak të rënies së reshjeve të dëborës, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, kanë rritur prezencën e shërbimeve të Policisë në të gjitha akset rrugore urbane e rurale, me qëllim për t’iu ardhur në ndihmë dhe këshilluar drejtuesit e mjeteve. Aksi rrugor “Librazhd-Qafë thanë” është përfshirë nga reshjet e dëborës, dhe aktualisht lëvizja e automjeve kryhet vetëm me zinxhirë. Ndërkohë, në këtë aks rrugor është bllokuar lëvizja e mjeteve të tonazhit të rëndë. Njëkohësisht, shërbimet e Policisë janë në kontakt të pandërprerë më përfaqësuesit e pushtetit vendor, emergjencat civile dhe kryetarët e fshatrave, me qëllim monitorimin e situatës dhe ndërhyrjen në kohë, në rast nevoje. Policia e Elbasanit apelon për drejtuesit e mjeteve që të bëjnë kujdes në lëvizje, të respektojnë sinjalistikën rrugore, të reduktojnë shpejtësinë, të mos qarkullojnë pa goma dimërore e zinxhirë dhe të ndjekin udhëzimet e shërbimeve në terren.”, thuhet në njoftim.

Lidhur me situatën e krijuar nga reshjet e dëborës, ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla.

“Reshjet e dëborës krijuan një situatë të vështirë, por në këtë moment aksi rrugor Librazhd- Pogradec është plotësisht i kalueshëm. Policia e Shtetit, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe njësitë e qeverisjes vendore, janë në krye të detyrës për garantimin e sigurisë dhe pastrimin e rrugëve në të gjithë vendin.”, shkruan Balla.  

 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme