Stuhi dëbore në veri dhe juglindje, bllokohen disa akse kryesore. Probleme edhe me furnizimin me energji në fshatra

Vendi është përfshirë nga moti i keq, ku veriu dhe juglindja po përballen me stuhi të forta dëbore, duke shkaktuar problematika në .
Aksi rrugor bypass Qafë Murrizë, është bllokuar, ndërsa për pasojë lëvizja e mjeteve në drejtim të Tiranës do të kryhet nga aksi i vjetër Klos-Burrel-Shkopet. Po ashtu, edhe akset Hani i Hotit-Tamarë, Tamarë-Vermosh, Bogë-Theth, Bogë-Qafë Thore dhe Fushë Arrëz- Iballë janë bllokuar prej reshjeve të dëborës. Edhe në Kukës, akset rrugore në njësit administrative Topojan, Zapod, Grykë Çaj dhe Arren janë bllokuar.
ARRSH bën me dije se makineritë dhe punëtorët janë në punë për pastrimin e bores dhe mbajtjen hapur të akseve, por për shkak të erës së fortë ato bllokohen sërish.
Për pasojë, këshillohet të shmanget sa më shumë qarkullimi në këtë aks përveç rasteve të emergjencës, sepse pamja është e vështirë nga furtunat e erës si dhe ka rrezik për shkarje të borës në rrugë apo ortekë.
Ndërkohë, si pasojë e reshjeve të dendura të dëborës, në Rrugën e Arbërit, nuk do të lejohen të kalojnë automjetet pa goma dimërore dhe pa zinxhir.
Edhe në bashkitë Pukë e Fushë-Arrëz ka reshje të shumta dëbore, ku sipas informacioneve nga krerët e këtyre bashkive, akset nacionale janë të hapura, por ka probleme në rrugët periferike.
Në Fushë-Arrëz ka rreth 20 centimetra dëborë, ndërsa në fshatra ajo i kalon gjysmë metri. Shqetësim mbetet mungesa e energjisë në disa fshatra të largëta të Berishës dhe Iballës.
Situata në qarqe
Qarku Dibër
Reshjet e dëborës kanë nisur edhe në qarkun Dibër, por momentalisht rrugët janë të kalueshme, ndonëse me vështirësi. Reshje dëbore ka edhe në bajpasin e Murrizit të rrugës së Arbrit, ku lëvizja e automjeteve bëhet me shumë vështirësi.
Qarkun Kukës
I gjithë territori i Qarkut Kukës gjatë gjithë natës dhe vazhdon të jetë i përfshirë nga reshje bore, ku lartësia e borës shkon deri në 15-30 cm. Rrugët nacionale janë të qarkullueshme normalisht me goma dimërore. Nga subjektet kontraktore ka vazhduar puna gjatë gjithë kohës për pastrimin, kriposjen dhe mbajtjen funksionale të tyre.
Nga bashkitë Kukës, Tropojë dhe Has nuk ka raportime për ndonjë problematikë. Furnizohet me energji elektrike pjesërisht qyteti i Kukësit dhe Nj Adm Zapod.
Furnizohet normalisht qyteti Krumës dhe i Bajram Currit. E gjithë pjesa tjetër e Qarkut nuk furnizohet për momentin me energji elektrike. Furnizimi me ujë të pijshëm është normal.
Qarku Shkodër
Në zonat malore kanë filluar reshjet e dëborës si dhe po fryn erë tepër e ftohtë. Borëpastrueset po punojnë ne segmentin rrugor Bogë-Theth, ky segment rrugor është i kalueshëm për automjete të pajisura me zinxhirë.
Bashkia Malësi e Madhe
– Gjatë natës ne gjithë territorin e bashkisë ka patur reshje shiu të shoqëruara me erë dhe në zonat malore ka reshje dëbore.
– Nuk raportohen probleme deri në këto momente.
▪︎ Bashkia Vau Dejës
– Në territorin e bashkisë Vau Dejës vijojnë reshjet e shiut me intensitet te mesëm/lartë.
– Raportohen shkëputje të energjisë elektrike në disa fshatra.
▪︎Bashkia Pukë
– Vijojnë reshjet e dëborës në territorin e kësaj bashkie, trashësia arrin deri ne 15 cm.
– Rrugët e qytetit Pukë janë të hapura.
-Po punohet ne aksin rrugor Qafë Qerreti-Qelez.
– Rrugët rurale deri në këto momente janë të kalueshme për automjete të pajisura me zinxhirë pasi temperaturat arrijnë deri në – 5 gradë.
▪︎Bashkia Fushë Arrëz
-Deri tani trashësia e dëborës arrin 25 cm.
-Rrugët rurale të Njësive Administrative janë të bllokuara për momentin. Në rrugët nacionale lëvizet vetëm me automjete të pajisura me zinxhirë.
– Në njësinë Administrative Iballe ka shkëputje të energjisë elektrike që nga mbrëmja e djeshme.
-Sipas informacioneve të marra deri tani nuk raportohen probleme ne akset rrugore që mbulon Shkodra. OSHEE Shkodër bën me dije se Fidra të stakuar komplet janë: Qelez Nst Puke, Nst Bushat, Nst Shkodra 2, Plazh Nst Velipoje, Shkodra 2, Plazh Nst Velipoje, Nst Koman, Nst Koman, Fidra pjesërisht në punë
Qarku Lezhë
Moti i keq me reshje shiu dhe dëbore ka përfshire dhe Qarkun e Lezhës. Sipas të dhënave zyrtare të Mbrojtjes Civile, prej mbrëmjes të së premtes zonat fushore në Bashkitë Lezhë dhe Kurbin janë përfshire nga reshjet e shiut me intensitet të lartë dhe mesatar, por fatmirësisht pa krijuar probleme. Ndërsa territori i Bashkisë Mirditë është përfshire nga reshjet e dëborës, trashësia e së cilës arrin nga 5 deri në 25 cm në varësi të zonave.
Prezenca e dëborës ka krijuar vështirësi në lëvizjen e automjeteve në Rrugën e Kombit segmenti Fan-Tuneli i Thirrës si dhe në rrugët e brendshme të fshatrave të Njësive Administrative Fan, Orosh dhe Selitë. Po ashtu raportohet për mungesë të energjisë elektrike, në fshatrat Prosek, Trojez dhe Perlat Qendër si dhe në Njësinë Administrative Rrëshen, fshati Gziq.
Moti i keq me ere të fortë ka sjellë probleme edhe në lundrimin detar në Shëngjin. Kapiteneria e Portit ka urdhëruar ndalimin e lundrimit të mjeteve të peshkimit, pasi dallgëzimi arrin deri në 5 ballë.
Qarku Elbasan
Në qarkun Elbasan ka pasur reshje shiu me intensitet mesatar gjatë natës. Situata në qark paraqitet pa shumë problematika. Akset rrugore nacionale e rurale janë të gjitha të hapura. Në aksin rrugor nacional Librazhd-Steblevë në Steblevë kanë filluar reshjet e dëborës, por rruga është e kalueshme pa probleme. Prurjet e lumenjve e përrenjve janë mesatare e nuk paraqesin probleme. Në furnizimin me energji nuk ka pasur probleme.
Qarku i Korçës
Filluan reshjet e dëborës me intensitet mesatar edhe në Qafë Plloçë-Maliq, Zëmblak-Dogana Goricë, Korçë-Ersekë, Korçë-Dogana Kapshticë. Mjetet borëpastruese po punojnë për pastrimin e rrugës dhe shpërndarjen e kripës. Qarkullimi vazhdon normalisht
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




