Vrasja e biznesmenit Ardian Nikulaj, merret në pyetje portugezi Ruben Saraiva

Aktualitet | 3 vite më parë

Nën akuzë për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj, portugezi Ruben Saraiva është marrë në pyetje nga oficer të krimeve të rënda në Policinë e Shtetit këtë të mërkurë (17 janar) në Komiseriatin e Lezhës.

Nën masa të rrepta sigurie, 28-vjeçari Portugez u shoqërua nga burgu i Reçit në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë ku dhe ka dhënë dëshminë e tij lidhur me ngjarjen.

Portugezi qëndron në paraburgim në burgun e Recit, që prej momentit kur është ekstraduar në Shqipëri me 31-dhjetor të vitit që lamë pas.

Ndaj tij rëndojnë akuzat “Vrasja për gjakmarrje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve”.

Nga ana e tij, portugezi Saraiva ka mohuar para gjyqtarëve që të jetë i përfshirë në vrasje.

Për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj më 19 prill 2023 në lokalin e tij në Shëngjin të Lezhës janë arrestuar në Angli 3 shtetas britanikë dhe Edmond Haxhia i dyshuar si porositës i këtij krimi.

Edhe për këta të fundit autoritetet shqiptare kanë dërguar kërkesë për ekstradimin e tyre nga Britania në Shqipëri, por ende nuk ka një vendim.

Vrasja e biznesmenit Ardian Nikulaj ishte në vazhdën e zinxhirit të hakmarrjes që familja e viktimës kanë me një fis tjetër, konflikt ky që ndër vite ka prodhuar shumë viktima.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme