Dhunimi i tre të rinjve nga Shqipëria, reagon ministri i Brendshëm malazez: Ngjarja po hetohet!

Ministri i Brendshëm i Malit të Zi, Danilo Sharanoviq (Šaranović) ka deklaruar se ngjarja ku tre të rinj nga Shqipëria raportohet se u dhunuan barbarisht po hetohet me intensitet.
“Djemtë janë mirë. Do t’ju informoj për gjithçka. Kolegët e mi po bëjnë gjithçka për të hetuar ngjarjen sa më shpejt të jetë e mundur. Gjëja më e rëndësishme është që djemtë janë mirë,” shkruan ai.
Mësohet se autorët e dyshuar janë shoqëruar.
Ministri Balla telefonon homologun malazez
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka falënderuar kryeministrin e Malit të Zi, Milojko Spajiq (Spajić), i cili reagoi për rastin e dhunës ndaj tre shqiptarëve sot në Mal të Zi.
Më herët ministri Balla zhvilloi një bisedë telefonike me ministrin e Brendshëm malazez, duke i kërkuar homologut informacion lidhur me ngjarjen, ndërsa ka falënderuar Policinë e Malit të Zi për reagimin e menjëhershëm.
“Falënderoj autoritetet e Policisë së Shtetit të Malit të Zi për reagimin e menjëhershëm ndaj dhunimit të tre të rinjve shqiptarë sot në Herceg Novi. Ngjarja po hetohet dhe personat që kryen aktit do të mbajnë përgjegjësi,” reagoi Balla në rrjetet sociale.
Reagimi i Ambasadës shqiptare në Mal të Zi
Ambasada e Shqipërisë në Malin e Zi informoi të shtunën se po e ndjek nga afër ngjarjen e pasdites së sotme, ku tre shtetas shqiptarë janë dhunuar në zonën e Zelenika-s.
“Që prej momentit të parë kur jemi njoftuar, jemi vënë në kontakt me shtetasit, i kemi marrë në mbrojtje dhe po i ofrojmë çdo shërbim të nevojshëm, përfshirë edhe atë ligjor.
Një përfaqësues i ambasadës ka udhëtuar drejt zonës, ndërsa kemi kërkuar nga policia dhe autoritetet ligjzbatuese zbardhjen e ngjarjes dhe ndëshkimin e autorëve.
Shtetasit shqiptarë të asistuar nga ambasada kanë bërë denoncimin pranë autoriteteve policore malazeze,” njoftoi ambasada.
Dhunimi i tre të rinjve shqiptarë
Tre shqiptarët u identifikuan të shtunën si Klodjan Meaj, Azem Dervishi dhe Doris Kopaçi.
Ngjarja mësohet se ndodhi rreth orës 14:00 në vendin e quajtur Zelenika në afërsi të qytetit të Herceg Novi. Tre shqiptarët ndodheshin në një makinë me targa gjermane në momentin kur janë sulmuar nga tetë persona të veshur me uniforma ushtarake, që dyshohet se janë serbë të Bosnjë-Hercegovinës.
Dhunuesit kanë goditur fillimisht makinën dhe pas daljes se dy shtetasve shqiptarë nga mjeti, janë sulmuar fizikisht edhe këta shtetas, duke u shkaktuar plagë në pjesë të ndryshme të trupit.
Tre të rinjtë janë paraqitur në policinë lokale për ndihmë dhe janë trajtuar fillimisht nga ana e mjekut ligjor, me dëmtime të kategorizuara si “rrahje”.
Nga ana e policisë malazeze atyre u është kërkuar të bënin denoncim, por të frikësuar, ata nuk kanë pranuar deri në mbërritjen e një avokati shqiptar.
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




