Kapen me bizhuteri të vjedhura në makinë, pranga dy shtetasve gjeorgjianë

Aktualitet | 3 vite më parë

 Nga kontrollet e detajuara të shërbimeve policore në Pikën e Kalimit Kufitar është bërë e mundur ndalimi i dy shtetasve gjeorgjianë të cilët po trafikonin bizhuteri të vjedhura në makinë.

Sipas informacioneve nga Policia e Shtetit , mësohet se janë sekuestruar rreth 190 bizhuteri të ndryshme floriri dhe argjendi, 2 monedha floriri, 1 orë dore e markës “Rolex” dhe çelësa për hapjen e dyerve dhe kasafortave.

“Vihen në pranga 2 shtetas gjeorgjianë që kishin fshehur në kroskotin e automjetit, këto bizhuteri, të cilat dyshohen të jenë të vjedhura.  Sekuestrohen edhe 6000 euro që u gjetën gjatë kontrollit në çantat e këtyre shtetasve, në dalje të RSh-së. Si rezultat i angazhimit maksimal të shërbimeve të Policisë Kufitare të PKK Kakavije në bashkëpunim me shërbimet e Frontex, për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, krahas punës për ofrimin e një shërbimi cilësor dhe me etikë, qytetarëve në hyrje/dalje, është goditur një rast i kontrabandës së mallrave”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu mësohet se në bazë të analizës së riskut, në dalje të vendit, u kalua për kontroll në vijë të dytë, automjeti me të cilin udhëtonin shtetasit U. E. dhe O. G., në kroskotin e të cilit u gjetën të fshehura bizhuteri të ndryshme (50 unaza, 21 varëse floriri, 12 varëse argjendi, 13 byzylykë floriri, 6 byzylykë argjendi, 53 vathë floriri, 32 medalione, 2 monedha floriri, 1 orë e markës “Rolex”, 1 varëse me perla dhe çelsa për hapjen e dyerve dhe kasafortave.

“Gjithashtu, gjatë kontrollit në çantat e këtyre shtetasve u gjetën 6000 euro të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me bizhuteritë dhe çelësat.  Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast u arrestuan në flagrancë shtetasit U. E., 32 vjeç dhe O. G., 36 vjeç, dy banues në Gjeorgji”, bëhet e ditur nga policia.

Vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme