Kërkoi t’i kthehet telefoni dhe kompjuteri, GJKKO refuzon Jamabër Malltezin

Aktualitet | 3 vite më parë

Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e dhëndrit të ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, për kthimin e telefonit, kompjuterit dhe disa materialeve të tjera shkresore. 

Malltezi kishte kërkuar kthimin e telefonit dhe kompjuterëve dhe disa materialeve të tjera shkresore, të sekuestruara nga ana e  Strukturës së Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit.

Ka qenë gjyqtarja Irena Gjoka, e cila la në fuqi masën e sekuestros me argumentin se janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Ndërkohë Malltezi është lënë në burg për akuzën e korrupsionit dhe pastrimit të parave në lidhje me hetimet e nisura për dosjen “Partizani”.

Dhëndri i ish-kryeministrit Berisha, Jamarbër Malltezi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash në rastin e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani” gjatë kohës që Berisha ishte kryeministër i vendit (2005-2013).

Përveç arrestit me burg ndaj Malltezit, Gjykata e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit ka caktuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, ndaj ish-kryeministrit Berisha si dhe i bllokoi pasaportën në kuadër të hetimeve të SPAK për privatizimin e kompleksit Partizani në kryeqytet.

“Ish-kryeministri Berisha akuzohet për korrupsion pasiv të kryer në bashkëpunim, neni 260 dhe 25 i Kodit Penal. Ndërsa dhëndri i tij akuzohet për korrupsion pasiv në bashkëpunim neni 260 dhe Pastrim i Produkteve në bashkëpunim me Fatmir Bektashin me nenin 287 i K.Penal”, thuhet në dosjen e SPAK.

Ndërkaq, avokatët e Berishës apeluan pak ditë më parë në Gjykatën e Apelit, vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit të shkallës së parë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme