Fier/ Konsumoi tullumbace me azot, 15-vjeçari shkon në spital në gjendje të rëndë. 3 të arrestuar

Një 15-vjeçar është dërguar me urgjencë në spital në gjendje të rëndë shëndetësore në Fier, pasi kishte konsumuar tullumbace me azot. Në një njoftim për mediat, Policia bën me dije se ka goditur edhe aktivitetin ku tregtoheshin tullumbace të tilla, duke çuar në pranga 3 persona.
Janë arrestuar personat me inicialet G. X., 60 vjeç dhe R. X., 27 vjeç, babë e bir, dhe E. L., 24 vjeç, banues në Fier.
60-vjeçari kishte përshtatur katin e parë të lokalit për përdorim droge, dhe në bashkëpunim me dy të rinjtë iu shisnin nxënësve të shkollave 9-vjeçare tullumbace me gaz Azot.
Ky ambient i cili u bllokua nga Policia, reklamohej nga të arrestuarit, si vend ku adoleshentët luanin lojëra me kompjuterë.
Gjatë kontrolleve, këta 3 shtetas u kapën duke konsumuar kanabis, në prezencë të klientëve të tjerë, në dhoma të përshtatura për këtë qëllim, në katin e parë të lokalit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një bombol me 50 litra azot, një sasi kanabisi, e ndarë në doza, një mjet grirës për të dhe 250 tullumbace që shërbenin për t’i mbushur me Azot.
Prej disa muajsh, ata i kanë shitur adoleshentëve tullumbace me Azot, kundrejt vlerës 350 lekë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Përshtatja e lokalit për përdorim droge” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




