Vlorë/ Arrestohet “Mysafiri”, Enron Sejdini, i armatosur me pistoletë

Një 38-vjeçar u arrestua ditën e sotme në Vlorë, pasi lëvizte nëpër qytet me armë zjarri.
Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë e llojit “Beretta” që mbante me vete, si dhe këllëfë për pistoletën dhe veshje kamuflazhi që iu gjetën në banesë, në Tiranë.
Bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, se në lagjen “Hajro Çakërri”, po lëvizte një shtetas i armatosur me pistoletë, i cili sapo kishte ardhur në qytetin e Vlorës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me ato të Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Vlorë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Mysafiri”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi Enron Sejdini, 38 vjeç, banues në Tiranë.
Sipas njoftimit të bërë nga Policia e Shtetit, gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj 38-vjeçarit, i’u gjet në një qese plastike, një armë zjarri pistoletë të llojit “Beretta” dhe një krehër me fishek. Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi, në lagjen “21 Dhjetori”, Tiranë, u gjetën 2 këllëfë pistolete dhe 1 veshje kamuflazhi, si ato ushtarake. Të gjitha sendet e kundërligjshme u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.
Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti dhe të qëllimit të këtij shtetasi.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, bëhet e ditur nga policia.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




