Zgjedhjet e pjesshme vendore në Kukës, qytetarët i drejtohen kutive të votimit

Ka nisur procesi i votimit për kryetar bashkie në Kukës.
Në garë janë Albert Halilaj nga Partia Socialiste dhe Emri Vata nga koalicioni opozitar “Bashkë Fitojmë”. Partia Demokratike zyrtare nga ana tjetër, zgjodhi që të mos përfshinte kandidat në garë.
Për këtë proces janë ngritur 74 qendra votimi, ku idenfikimi i zgjedhësve do të jenë në mënyrë elektronike ndërsa votimi do të bëhet vetëm me një fletë.
Shërbimet e Policisë janë të angazhuara maksimalisht për të garantuar një proces zgjedhor sa më të qetë, ku për garantimin e rendit dhe qetësisë publike, në vazhdimësinë e shërbimeve që kryen Policia e Shtetit çdo ditë, janë angazhuar dhe 78 punonjës të tjerë policie.
Zgjedhjet e reja po mbahen pas dorëheqjes dhe shkarkimit të Safet Gjicit, pas publikimit të video skandalit në zyrë.
E njohur tradicionalisht si bastion i djathtë, Bashkia e Kukësit do të merrte ngjyrimet e Partise Socialiste ne vitin 2019, kur në krye të saj u zgjodh biznesmeni Safet Gjici.
Në dy vite drejtimi të Safet Gjicit në Bashkinë e Kukësit, prova e parë për të do të ishin zgjedhjet parlamentare të 2021, që në nivel bashkie e qarku, u fituan në favor të Partisë Demokratike me rezultat të thellë.
Më konkretisht, në Bashkinë e Kukësit, në vitin 2021, Partia Demokratike siguroi 12.852 vota, ndërsa Partia Socialiste 8.091, me një diferencë 4.761 votave në favor të demokratëve. Për të arritur te zgjedhjet vendore të 2023.
Partia Demokratike në këto zgjedhje vinte e përçarë për shkak të problemeve të brendshme të nisura në shtator të vitit 2021 me shpalljen non grata të liderit historik Sali Berisha.
Partia Socialiste, bëri pak ndryshime në kandidatura në të 61 bashkitë e vendit, e përjashtim nuk bëri as Bashkia e Kukësit që rikonfirmoi kandidat Safet Gjici.
Nga ana tjetër, kundërshtar politik nën siglën e koalicionit „Bashkë Fitojmë“ ishte Admir Sinamati, ndërsa në një parti me peshë elektorale më të vogël, si ajo për Europiarizimin dhe Integrimin e Shqipërisë pozicionohej Abedin Oruçi.
Ndonëse në perceptimin publik, apo analizat politike të përnatshme në studiot e emisioneve politike të mbrëmjes në Shqipëri, Kukësi do të ishte një bashki që do të fitohej nga koalicioni “Bashkë Fitojmë“, në fakt ndodhi e kundërta.
Safet Gjici, u rikonfirmua në krye të Bashkisë së Kukësit, me një total prej 11.632 votash, Admir Sinamati i Koalicionit Bashkë Fitojmë arriti të grumbullonte 9.592 vota, ndërsa kandidati tjetër, Abedin Oruçi, 2180 vota, një numër i konsiderueshëm krahasuar me parti të ngjashme që morën pjesë në bashki të tjera të vendit. Madje ishin mjaftueshëm, sa për t’i mohuar fitoren demokratëve.
Teksa nuk kishin kaluar shumë nga zgjedhjet, e pjesa më e madhe e këshillave bashkiakë ende nuk kishin konsistuar vullnetin e sovranit, Bashkia e Kukësit me Safet Gjicin përfshihet në një skandal seksual, i zhvilluar në zyrën e kryebashikaut. Pak pas publikimit të pamjeve filmike që bënë xhiron në rrjet, Gjici dha dorëheqjen nga pozicioni i kryetarit. Në këto kushte, zgjedhjet, duhet të ripërsëriteshin.
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, ndryshe nga zgjedhjet në Rrogozhinë, që u ripërsëritën pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor në muajin korrik, vendosi për Kukësin shtatorin, si kohën e mbajtjes së zgjedhjeve. Tashmë, janë certifikuar edhe kandidatët që do të marrin pjesë.
Për Partinë Socialiste, kandidat do të jetë ish-Perfekti Albert Halilaj, ndërsa për kolaicionin “Bashkë Fitojmë”, pas procesit traditë tashmë të primareve, kandidat u zgjodh Emri Vata.
Partia Demokratike zyrtare nga ana tjetër, zgjodhi që të mos përfshinte kandidat në garë, por lideri i saj Lulzim Basha, premtoi se kjo do të ishte hera e fundit që do të ndodhte.
Po ashtu, ndryshe nga zgjedhjet e majit, në zgjedhjet e pjesshme të shtatorit në Bashkinë e Kukësit, nuk do të ketë parti apo koalicion tjetër të përfshirë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




