Ministrja kanadeze merr “Çelësin e Qytetit”, Veliaj: Kanadaja, shtëpia e mijëra shqiptarë

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti ministren e Jashtme të Kanadasë, Melani Xholi (Melanie Joly), e cila zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri.
Kanadaja është kthyer në shtëpinë e shumë shqiptarëve, të cilët kanë emigruar dhe janë integruar atje, u shpreh Veliaj, dhe mes dy vendeve ka pasur marrëdhënie të forta.
“Disa nga punët që i kemi nisur me qeverinë e Edi Ramës disa vite përpara, si marrëveshja e pensioneve, sot janë të kryera. Por, sa më shumë punë të bëjmë, aq më shumë na shtohet dëshira për shumë punë të mira,” tha Veliaj.
Nga ana tjetër, kryebashkiaku i cili i dhuroi ministres kanadeze “Çelësin e Qytetit”, u shpreh i lumtur edhe për bashkëpunimin në nivel lokal.
“Ashtu si dy udhëheqësit tanë, kryeministri Rama dhe kryeministri Trudo (Trudeau), kanë një raport të veçantë, unë besoj se duhet ta thellojmë edhe më shumë raportin mes qyteteve dhe njerëzve. Mezi pres të jem shumë shpejt në Kanada dhe të kemi këtë raport mes kryetarëve të Bashkive,” deklaroi Veliaj.
Kryediplomatja e Kanadasë falënderoi kryebashkiakun Veliaj për pritjen.
“Jam shumë e kënaqur për këtë dhuratë të mrekullueshme! Faleminderit për udhëheqjen tuaj fantastike, si kryetar i Bashkisë së Tiranës. Jam e bindur se kanadezët, por edhe ata me origjinë shqiptare, janë jashtëzakonisht krenarë që po marrim këtë dhuratë fantastike,” tha Xholi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




