Nisi regjistrimi në universitete, maturantët të interesuar për programet e mjekësisë dhe inxhinierinë

Studentët të cilët kanë kryesuar listën e fituesve në Universitete i janë drejtuar të martën (29 gusht) dyerve të institucioneve të arsimit të lartë për të bërë realitet ëndrrën e tyre, duke u regjistruar në programin e preferuar të studimit.
Kryesekretarja e Fakultetit të Histori-Filologjisë, Voltisa Meçe, thotë se “interesi për t’u regjistruar ka qenë i lartë gjatë kësaj dite të parë”.
“Fluks më të shpeshtë kemi për drejtimin gjuhë-letërsi, gazetari, por edhe degët histori, gjeografi dhe arkeologji janë të kënaqshme,” thotë kryesekretarja Meçe.
Drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj, ka sqaruar se gjatë dy orëve të para të mëngjesit janë regjistruar mbi 1 mijë studentë dhe në krye të listës qëndrojnë degët inxhinierike, shkencat mjekësore dhe ato ekonomike.
“Kemi pak a shumë rreth 90 maturantë të regjistruar në Universitetin e Tiranës. Universiteti i Mjekësisë gjithashtu ka një ecuri të mirë, rreth 50 maturantë të regjistruar, Bujqësori me rreth 60 maturantë të regjistruar është një shenjë e mirë,” shpjegon drejtori Xhelaj.
Ashtu si çdo vit, gjatë raundit të parë pritet të ezaurohen pjesa më e madhe e kuotave.
Procesi i regjistrimit këtë vit do të zhvillohet nëpërmjet dy raundeve dhe pritet që gjithçka të përmbyllet në 10-ditëshin e dytë të muajit tetor.
Gazetare: Keti Toroveci
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




