Zjarret dhe shirat/ Peleshi: Tri vatra aktive, në gatishmëri për sezonin e reshjeve

Aktualitet | 3 vite më parë

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, në një komunikim për mediet ka bërë një analizë të punës së Emergjencave Civile gjatë sezonit veror dhe ka lënë porosi për sezonin që po afron, atë të shirave.

Peleshi deklaroi se sezoni veror është shoqëruar me 465 vatra zjarri, të cilat janë menaxhuar me sukses. Në 24 orët e fundit kanë mbetur disa vatra aktive në qarqet Fier, Vlorë dhe Dibër, shtoi ministri.

“Në këtë moment të ditëve të fundit të verës së nxehtë dhe hyrjes së një sezoni tjetër potencial për emergjencat civile, kam gjykuar të bëj një komunikim publik që vlen edhe për qytetarët, edhe për gjithë strukturën e nivelit vendor deri në atë qendror të mbrojtjes civile.

Mekanizmi jonë kombëtar ka funksionuar këtë vit më mirë se çdo vit tjetër.

465 vatra zjarri janë menaxhuar me sukses, nuk kemi humbje jete dhe as të rrezikuar, kemi ruajtur pasurinë e qytetarëve, kemi shmangur më të keqen në shumë zona pyjore. Kemi shmangur zjarret në pemëtari. Në 24 orët e fundit zjarret janë aktive në qarqet Fier, Vlorë dhe Dibër. Disa zjarre kritike, nga zona e Frakullit në Fier ku filloi sezoni i zjarreve kemi pasur situatë të vështirë, por me angazhim e bashkëpunim e shmangëm; mbi Porto-Palermo në pikun e sezonit, zjarri u menaxhua në kohë të shpejtë; zjarri afër Kishës së Laçit pati përqendrim të madh të forcave dhe pushtetit vendor; dhe së fundi në Shpirag, u shmang falë një bashkëpunimi të jashtëzakonshëm. Zjarr jokritik kemi në pyjet e Lurës”, tha ai.

Referuar shirave të cilat do të përfshijnë vendin gjatë këtyre ditëve, ministri Peleshi u bëri thirrje qytetarëve dhe bashkive që të qëndrojnë në alert dhe të bashkëpunojnë për çdo situatë emergjente, përmbytje apo rrëshqitje dherash.

“Kanë filluar dhe shenjat e para të trokitjes se sezonit të reshjeve. Ka pasur reshje në veri, mund të ketë situata lokale dhe në orët në vijim ndonjë dalje nga shtrati e ndonjë përroi, ndonjë përmbytje lokale, të cilat sado të vogla mund të shkaktojnë rreziqe deri në humbje jete nëse nuk tregohemi të kujdesshëm. U bëj thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë për çdo situatë emergjente, bashkive, që janë përgjegjëset kryesore për të përballuar emergjencat. Prefektët kanë bërë punë të jashtëzakonshme. Do na duhet ta mbajmë tempin dhe kjo është arsyeja pse gjykova të dal në komunikim”, u shpreh Peleshi.

Ministri shtoi se Forcat e Armatosura kanë qenë faktor kyç në çdo situatë apo moment kritik.

“Dua t’i falënderoj pasi janë në çdo situatë, në çdo moment kritik duke sakrifikuar, duke rrezikuar. Kemi mundur të mbrojmë jetën e qytetarëve dhe të mbajmë ushtarakët të pakërcënuar. Përulem para sakrificës së çdo ushtaraku. Janë të pa zhurmshëm, por bëjnë punë të madhe”, përfundoi ministri Peleshi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme